Për javën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga një javë “normale” dimri si pasojë e një qendre të thellë e presionit të ulët që ndikon jo vetëm mbi vendin tonë por edhe në pjesën më të madhe të Evropës. Nuk do të mungojnë ditët me reshje shiu, në relievet malore reshjet e dëborës ndërsa përgjatë ultësirës perëndimore do të ketë edhe ditë me diell (kthjellime afatshkurtra).
Në këtë mënyrë për ditën e Hënë moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale afatshkurtra me diell kryesisht përgjatë zonave të ulëta. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu afatshkurtra me intensitet të ulët ndërsa në zonën e veriperëndimit dhe jug reshjet me intensitet të ulët deri mesatar. Lokalisht dhe në periudha tepër afatshkurtra në këto zona reshjet me intensitet deri dhe të lartë në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike. Në relievet malore në lartësitë mbi 700-800 metër reshje dëbore me intensitet të ulët lokalisht mesatar.
Po ashtu edhe për ditën e Martë moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale afatshkurtra me diell. Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar në pjesën më të madhe të territorit. Në relievet malore në lartësitë mbi 700-800 metër reshje dëbore me intensitet të ulët lokalisht mesatar.
Duke filluar nga dita e Mërkurë moti kryesisht me kthjellime alternime vranësirash kalimtare të cilat në zonën e veriut dhe qendër do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët. Ndërsa për ditën e Enjte dhe atë të Premte mot kryesisht i kthjellët e alternime vranësirash kalimtare.