18-vjeçari shqiptar i identifikuar si Samuel Tafciu, ishte mes tre personave që humbën jetën pas një shpërthimi të ndodhur më 18 nëntor në një fabrikë fishekzjarresh në Itali.
Ndërkohë, një person ka rënë në pranga deri më tani.
Punzo Pasquale, 38 vjeç akuzohet për kryerjen e krimit të vrasjes së trefishtë me dashje dhe paramendim, posedim dhe prodhim të lëndës plasëse dhe piroteknike, si dhe drejtimin e një grupi kriminal, të cilat ai i ka mohuar gjatë seancës gjyqësore.
Punzo Pasquale dyshohet të jetë personi që shkaktoi shpërthimin në fabrikën e lëndëve plasëse.
Samueli, i cili ndërroi jetë në ditën e parë të punës, bashkëjetonte me partneren e tij 17-vjeçare në Ponticelli dhe ishte bërë baba vetëm 4 muaj më parë.
Mes lotësh 17 vjeçarja ka folur për mediat italiane lidhur me tragjedinë. Ajo shprehet se ata kishin planifikuar se së shpejti do të bënin dasmën.
“Ëndrra më e madhe e Samuelit ishte të martohej me mua sapo të mbushja 18 vjeç. Ai donte të qëndronte me mua, të merrte një shtëpi jashtë Napolit dhe të shkonim së bashku në një udhëtim. Ai bëri gjithçka për familjen tonë. Ai ishte njeriu më i mirë në botë. Në Qershor patëm pagëzimin e vajzës sonë. Ne po planifikonim dasmën”, tha partnerja e viktimës.
Po gjithashtu edhe vjehrra e tij ka folur më herët për ngjarjen e rëndë.
“Policia na thirri dhe ne vrapuam këtu menjëherë. Samueli ishte dhëndri im, i martuar me vajzën time 17-vjeçare. Ata kanë një vajzë 4 muajshe dhe ai punonte për të dhe gruan e tij. Ai ishte një djalë punëtor. Ai kishte 10 vite në Itali dhe i kishte të gjitha kartat në rregull. Ai u dogj i gjallë, ishte dita e parë e punës. Mbesa ime do të rritet pa babanë e saj dhe vajza ime, e cila është vetëm 17 vjeçe, tashmë ka një jetë të shkatërruar”, tha vjehrra e viktimës.
Më tej ajo ka theksuar se kanë folur në telefon një orë para tragjedisë.
“Dy vajzat e vdekura ishin nëna beqare, që punonin për fëmijët e tyre të vegjël. Dhëndri im na telefonoi në orën 13:00, na tha se po hanin një sanduiç. Pastaj një orë më vonë ndodhi tragjedia. Tre familje të shkatërruara, kush do të na i kthejë fëmijët?”, shtoi ajo.