Endrit Rustemi është një i ri shqiptar, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Itali. Endrit Rustemi emigroi me nënën dhe dy motrat e tij në shtetin fqinjë, kur ishte vetëm 9 vjeç dhe sot ai është 33 vjeç dhe një nga picierët më të njohur në Itali.
Sot në ditën botërore të picës, prestigjiozja italiane TGCOM 24 i kushton një artikull të veçantë picierit me origjinë shqiptare, Endrit Rustemi. Ai lindi në Fier në vitin 1991.
33-vjeçari jeton në Brescia, ku dhe është martuar dhe ka dy vajza. Por jeta nuk ka qenë e lehtë, ai në fillim u zhvendos në Milano dhe së bashku me nënën dhe dy motrat flinin në stacionin e trenit. Më pas, falë ndërhyrjes së shërbimeve sociale, ai shkon të jetojë në një komunitet të miturish në Brescia, ku rritet dhe edukohet deri në moshën madhore.
Si lindi dashuria për picën?
“Mendoj se ishte e shkruar, ishte fati im, që kur isha i vogël në Shqipëri së bashku me gjyshen time kisha dëshirë të përgatisja brumin me aq sa mundësi kishim, sepse situata ekonomike ishte tepër e vështirë. Dhe menjëherë rashë në dashuri me ato brumëra, ato aroma, të njëjtat që gjeja dhe gjej çdo ditë tek picat. Pastaj më erdhi mundësia, pas 8 vitesh në një komunitet për të mitur për të punuar në një piceri në moshën 17-vjeçare. Një përvojë profesionale që më shënoi përgjithmonë”– tregon Endriti për TGcom24.
Ai punoi për disa vite në piceri të ndryshme të Milanos derisa hapi biznesin e tij, i cili ka një sukses të madh në Brescia.