56-vjeçarja humb jetën në Urgjencën e Spitalit të Durrësit. Mjekët nuk e preknin me dorë se ishte e palarë.

557
0

Një akt çnjerëzor mund të cilësohet sjellja e mjekëve të urgjencës në Spitalin e Durrësit nëse pretendimet e vëllait të një pacienti që ka humbur jetën janë të vërteta.

Mjekët e spitalit të Durrësit janë vëne sërish në shënjestrën e denoncimit për neglizhencë.

Këtë radhë janë mjekët e Urgjencës të cilët janë akuzuar nga një qytetar që pretendon se bluzat e bardha nuk kanë kryer misionin e tyre dhe për pasojë motra e tij ka nderruar jetë.

Albert Dedej thotë se motra e tij 56- vjeçare kishte shkuar në urgjence pasi kishte kapërdirë një sasi medikamentesh dhe për tre orë me radhë nuk është prekur nga mjekët.

Sipas tij, bluzat e bardha nuk u angazhuan aspak në këtë rast pasi motra e tij ishte bërë pis teksa ishte rrëzuar në një kanal në zonën e Porto Romanos.

Krahas denoncimit publik, Dedej thotë se do bëjë denoncim edhe në policinë e Durrësit me qëllim që kjo e fundit të nisi hetimet për rastin në fjalë.

Sipas tij ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë në Urgjencën e spitalit të Durrësit. Nga ana tjetër, mjekët deklarojnë se rasti është trajtuar me përkushtim maksimal por për fatin e keq pacientja e identifikuar si shtetësja Ervehe, ka ndërruar jetë.

Mjekesia ligjore po punon për të mësuar shkakun e vërtetë të humbjes së jetës së 56-vjeçares, e cila sipas të afërmve është paraqitur e helmuar nga medikamentet që kishte gëlltitur.