“550 euro nata në Sarandë”! Rama bën deklaratën e papritur për sezonin e pushimeve,

1773
0

Kryeministri Edi Rama është treguar i ashpër gjatë takimit që ka pasur sot me drejtues të administratës Tatimore.

Kreu i qeverisë dha alarmin se turizmi, cigaret, karburantet dhe ndërtimet vijojnë të bëjnë abuzime që ndikojnë direkt në të ardhurat tatimore. Ai solli në vëmendje Sarandën, duke thënë se apartamentet shkojnë deri në 550 euro nata, por që nuk derdhin asnjë kontribut në Tatime.

“Si mundet që karburantet, cigaret, akciza për pijet alkoolike e ndërtim, të mos adresohen nga ky sistem administrativ, në mënyrë të koordinuar. Për të mos folur për turizmin, për shkak të sezonit. Kemi bërë një ulje drastike të TVSH së turizmit në 6%, në funksion të lehtësimit të sipërmarrjes dhe formalizimit të tregut, e para ka ndodhur, e dyta jo. Sërish mungon analiza e riskut.

Modeli është i qartë, moduli i riskut evidenton 6100 subjekte me risk të lartë, nga të cilët 270 janë subjekte akcize, 453 figurojnë subjekte ndërtimi, ndërkohë që fokusi kryesor mungon. Pse? 1574 subjekte vetëm në vijën bregdetare janë të regjistruara në Booking, por a janë të gjithë deklarues në tatime? Çfarë do me thënë të dihet shifra nga Booking dhe të mos dihet nga këta? Çorganizim dhe anarki.

Në Sarandë ka apartamente që reklamojnë çmime deri në 550 euro nata dhe dalin edhe të rezervuara në website, gjë që është fantastike për turizmin, sepse flet për rritje në zhvillimin e turizmin. Por, si mundet që për këto apartamente të mos ketë kontribute në tatime. Cigaret e karburantet kërkojnë një adresim të integruar, shkëmbim të dhënash, ndjekja e zinxhirit në çdo hallkë. Ato përbëjnë rreth 40% të të ardhurave të doganës dhe çdo rrjedhje aty ka impakt negativ të drejtpërdrejtë. Skemat e mashtrimit me TVSH te ndërtimi janë zbuluar e goditur, por vazhdojnë akoma, pra nuk janë eliminuar”, u shpreh kryeministri.

Më tej, ai kritikoi ashpër edhe Hetimin Tatimor, duke u shprehur se “duhet të shërbejë si një shërbim inteligjent , duhet të jetë syri që sheh aty ku të tjerët nuk shohin, veshi që dëgjon aty ku tjerët nuk dëgjojnë dhe iniciuesi i goditjeve mbi bazë pune inteligjente, jo trupa që turret nëpër dyer sipërmarrjesh dhe që më shumë bën dëm, se sa sjell rezultat”.

“Hetimi tatimor, i kemi identifikuar para një viti si një hallkë problematike për biznesin, për qytetarin dhe shtetin. Hetimi Tatimor nuk mund të jetë një trup paramilitare inspektimesh për inspektim. Ai duhet të jetë shërbimi inteligjent i Tatimeve, duhet të jetë syri që sheh aty ku të tjerët nuk shohin, veshi që dëgjon aty ku tjerët nuk dëgjojnë dhe iniciuesi i goditjeve mbi bazë pune inteligjente, jo trupa që turret nëpër dyer sipërmarrjesh dhe që më shumë bën dëm, se sa sjell rezultat.

Kam besim që drejtuesja e re, së bashku me ekipin drejtues, nën monitorimin e Braçes, i kanë të gjitha mundësitë për të bërë sukses. Suksesi kërkon sakrificë, jo në kuptimin e ndonjë heroizmi, por në kuptimin e angazhimit të çdo individi e strukture me fokus objektivin”, tha Rama.