5 hapat për të shkuar në Britani. Ja rruga që ndjekin shqiptarët

1379
0

Mediat britanike i kanë kushtuar vëmendje operacionit të autoriteteve shqiptare, që çoi në zbulimin dhe goditjen e 7 grupeve kriminale që trafikonin emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria drejt Anglisë, Kanadasë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një artikull të publikuar këtë të shtunë nga e përditshmja “DailyMail”, pasqyrohet operacioni ku u arrestuan 39 persona dhe u shpallën në kërkim 12 të tjerë. Në të zbulohet edhe rruga që ndiqnin trafikantët për të dërguar drejt Britanisë emigrantët e paligjshëm.

“Një operacion ndërkombëtar shkatërroi një rrjet trafikantësh që fusnin ilegalisht shqiptarë në Britani. Operacioni zbuloi më shumë se 50 persona që po bënin miliona duke kaluar emigrantë nëpër 17 vende për të arritur në Britani, Amerikë e Kanada”, shkruan “DailyMail”. Sipas saj, të akuzuarit dyshohet se kanë trafikuar rreth 1 500 emigrantë dhe secili prej tyre ka paguar mbi 20 mijë paund për t’u arratisur nga Shqipëria.

Më tej, e përditshmja britanike shkruan se rreth 750 emigrantë, përfunduan në Britani.

“Gati 9 nga 10 shqiptarë të trafikuar në Britani, besohet se kanë udhëtuar me tragete, duke përdorur pasaporta dhe karta identiteti false, të krijuara nga banda. Pjesa më e madhe e letrave të falsifikuara ishin italiane, disa spanjolle dhe franceze”.

Fillimisht, zbulon më tej “DailyMail”, rruga për në Britaninë e Madhe ishte nëpërmjet Italisë dhe Francës, por pas operacioneve të policive në këto vende, ata nisën të përdornin rrugë të tjera nëpërmjet Malit të Zi, Serbisë, Gjermanisë dhe Spanjës veriore, ku ndihmoheshin për të marrë anije që drejtoheshin nga brigjet jugore.

“DailyMail” shkruan se operacioni policor nisi pasi kjo media zbuloi vitin e shkuar “shkallën shokuese të emigrantëve të jashtëligjshëm shqiptarë në Britani, ku shumë prej këtyre emigrantëve të rinj në moshë bënin selfie duke qeshur dhe duke u argëtuar, teksa fshiheshin në kamionë të nisur drejt Britanisë”.

Agjencia Kombëtare britanike e Krimit ka paralajmëruar se bandat kriminale shqiptare kanë vendosur një profil me influencë të lartë në gjirin e krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar. Ata qëndrojnë pas pjesës më të madhe të furnizimit me kokainë në këtë shtet dhe janë të përfshirë gjithashtu në trafik e prostitucion.

Autoritetet britanike thonë se bandat shqiptare kanë kontroll të konsiderueshëm të tregut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Kriminelët shqiptarë në këtë shtet konsiderohen si brutalë dhe të pamëshirshëm.

Gjithnjë sipas asaj që shkruan media britanike, shqiptarët janë tashmë grupi i tretë më i madh i të huajve të burgosur në Angli dhe Uells, pas kriminelëve irlandezë dhe polakë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë britanike, vitin e shkruar numëroheshin 726 kriminelë nga Ballkani në burgjet britanike, gati trefishi i vitit 2013, kur numri ishte 267.

Në operacionin e zhvilluar fundjavën e shkuar, të cilin autoritetet shqiptare e përshkruan një “mega operacion”, morën pjesë zyrtarë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Agjencia Kufitare e Kanadasë, Europol, Interpol, policia në Kosovë, Spanjë e Itali.

“DailyMail” sjell gjithashtu në vëmendje se vitin e shkuar, Shqipëria ishte vendi i dytë me numrin më të lartë të fëmijëve të pashoqëruar që kërkonin azil në Britani, më shumë aplikantë sesa Siria e shkatërruar nga lufta.

“Në përpjekje për të bindur BE që të hapë negociatat këtë Qershor, Shqipëria është angazhuar për të luftuar krimin e organizuar. Autoritetet së fundmi sekuestruan një sasi prej 613 kilogramësh kokainë dhe shkatërruan një grup të madh të trafikimit të kanabisit”, e mbyll shkrimin e saj “DailyMail”.

Një ditë më parë, e njëjta media shkruante për mbipopullimin e burgjeve britanike për shkak të rritjes së bandave kriminale shqiptare. Ndërsa po gjatë kësaj të shtune, një tjetër media britanike, “The Sun”, pasqyronte të njëjtin operacion të policisë kundër trafikantëve dhe zbulonte se një prej kokave të kësaj bande ishte me origjinë shqiptare, me nënshtetësi irlandeze. /tvklan.al