Skip to content

“40°C në këto qytete..” Mot i nxehtë edhe për pesë ditët në vijim, ja kur arrin piku..

    Parashikimi i motit për ditët në vijim në Shqipëri dhe rajon

    Vijon rritja e vlerave termike në vendin tonë, ndërsa moti mbetet kryesisht i kthjellët në të gjithë territorin. Vranësirat do të jenë të lehta dhe kalimtare, kryesisht gjatë pasdites në zonat lindore.

    Temperaturat e mëngjesit shënojnë një rritje të lehtë, duke nisur nga 15°C në zonat e thella malore dhe deri në 25°C në vijën bregdetare. Mesdita do të sjellë temperatura të larta që variojnë nga 29°C në zonat malore deri në 39 apo mbi 39°C në ultësira. Era do të fryjë me intensitet mesatar nga drejtimi verior gjatë gjithë ditës.

    Në orët e natës dhe paraditen e së nesërmes do të mbizotërojë dielli në pjesën më të madhe të territorit. Vranësira kalimtare priten në mbrëmje dhe mëngjes në verilindje dhe juglindje. Bregdeti dhe zonat perëndimore do të jenë të kthjellëta gjatë gjithë ditës.

    Temperaturat maksimale vijojnë të rriten. Në zonat malore juglindore priten deri në 30°C, ndërsa në verilindje deri në 36-37°C. Në perëndim, termometri do të ngjitet në 38-39°C, veçanërisht në Berat, Shkodër (Koplik) dhe qytete të tjera të ultësirës perëndimore.

    Mot i nxehtë edhe për pesë ditët në vijim

    Moti i qëndrueshëm do të vazhdojë edhe për 5 ditët e ardhshme. Deri të enjten do të mbizotërojnë kthjellimet, ndërsa nga e premtja dhe sidomos të shtunën, priten shtime të vranësirave në zonat malore lindore dhe verilindore, me mundësi për rrebeshe të shkurtra.

    Temperaturat do të vazhdojnë të rriten, duke arritur deri në 40°C në qytete si Berat, Koplik dhe Gjirokastër. Edhe pjesa tjetër e vendit do të shënojë vlera shumë të larta, nga 39 deri në 40°C. Të shtunën mund të ketë një rënie të lehtë të temperaturave, por prapë mbetemi në nivele të larta për fillimin e korrikut.

    E diela pritet të sjellë një freskim të lehtë në mëngjes, ndërsa mesdita do të sjellë sërish rritje temperaturash, me maksimumet që do të qëndrojnë në 37-38°C. Këto vlera janë mbi mesataren sezonale për këtë periudhë.

    Ballkani dhe Europa

    Në rajonin e Ballkanit, moti mbetet kryesisht i kthjellët dhe shumë i nxehtë. Në veri dhe veriperëndim do të ketë shtim të vranësirave gjatë pasdites dhe mundësi për rrebeshe të shkurtra, ndërsa pjesa tjetër e rajonit do të ketë diell dhe temperatura shumë të larta.

    Kryeqytete si Beogradi dhe Bukureshti pritet të arrijnë deri në 39-40°C. Në jug të Ballkanit, Athina dhe qytete të tjera të Greqisë do të preken nga kulmi i valës së të nxehtit, me temperatura që arrijnë deri në 41°C.

    Në Europë, gjysma veriore paraqitet me vranësira dhe reshje të lokalizuara, kryesisht në Alpe, Skandinavi, Francë dhe Britani. Megjithatë, temperaturat mbeten të larta në shumicën e rajonit, madje edhe në zonat me reshje.

    Në gadishullin Iberik, temperaturat arrijnë 41-44°C në jug të Spanjës dhe Portugalisë. Italia gjithashtu do të përjetojë vlera nga 39 deri në 42°C, veçanërisht në jug dhe qendër të vendit.