4 shqiptarë ende të zhdukur nga aksidenti në Greqi/ Familjet në pritje të ADN-së (EMRAT)

120
0

Evgenia Micka, Denis Muco, Klaudia Lato dhe Pavli Bozo janë katër shqiptarët qe rezultojnë të zhdukuar që nga e marta kur ndodhi tragjedia hekurodhore në veri të Greqisë. Autoritetet po bëjnë identifikimin e trupave të gjetur të karbonizuar nëpërmjet ADN-së.

Pavli Bozo prej më shumë se 10 vitesh, punonte në trenin nr. 62 në sektorin e përgatitjes së ushqimit. Familjarët e Denis Muços kanë konfirmuar se djali i tyre ishte në tren, por nuk kanë asnjë kontakt me të.

Gjithashtu e zhdukur është edhe Evgenia Micka, ndërsa Klaudia Lato, edhe pse nuk ka kombësi shqiptare, ka dy prindër shqiptarë. Familjarët e saj presin një përgjigje pasi kanë dhënë monstrat për ADN-në që do të ndihmonte mjekët në identifikimin e mundshëm.  

Shërbimi mjekoligjor i Larisës i përbërë nga tre mjekë të specializuar nga Selaniku, Athina dhe Lamia të cilët kanë punuar më herët në identifikimin e trupave në aksidente të tjera tragjike janë vendosur në dispozicion në vendin e ngjarjes. Ata me mjete të posaçme së bashku me kamera po bëjnë të mundur që nëpërmjet ADN të identifikojnë trupat edhe pse shpresat sa vijnë edhe zbehen.

Rreth tre kilometra larg spitalit, në stacionin e trenit, kolegët e stacionistit që është arrestuar në lidhje me aksidentin nuk duan të flasin. Ata i referohen mbikëqyrësit të tyre, një specialist kyç, i cili gjithashtu refuzon të mbajë një qëndrim për incidentin. Ekspertët i referohen një gabimi që nuk duhet të kishte ndodhur. Morfologjia e zonës ka luajtur rol në kushtet që kanë çuar më pas drejt përplasjes.

Treni i pasagjerëve po dilte nga një tunel, nëse do të kishte shikueshmëri më të mirë qoftë edhe në një distancë prej një kilometër, ndoshta drejtuesit e mjeteve do të kishin frenuar për të ulur disi shpejtësinë. Ekspertët e sigurisë theksojnë se nëse aksidenti do të kishte ndodhur brenda tunelit, humbjet do të ishin më të mëdha.

Shqipëria në shenjë solidariteti me Greqinë ka shpallur datën 5 Mars ditë zie kombëtare.