30 prindër kërkojnë largimin nga shkolla të fëmijës me prapambetje

709
0

Elton Muço, baba i një djali 13-vjeçar u ankua në emisionin Stop për një problem që ka lindur me stafin pedagogjik të shkollës 9-vjeçare “Kolë Koci” të cilët kanë vendosur t’i reduktojnë orët djalit me “prapambetje mendore të moderuar”, duke pretenduar se ai është agresiv.

“Fëmija im për 5 vjet në këtë shkollë nuk ka shfaqur asnjë lloj problemi dhe në klasën e gjashtë filluan problemet. U bë një mbledhje nga seksioni i arsimit dhe nga drejtoria e shkollës dhe vendosën që djalit tim t’i reduktohen orët.

Janë mbledhur 30 prindërit e klasës dhe vendosën për fëmijën që duhet të ikë nga shkolla me motivacionin që djali im është agresiv dhe kjo gjë nuk është e vërtetë.

Përse fëmija im duhet të largohet nga kjo shkollë?”, u shpreh denoncuesi dhe shtoi si do të ndiheshin këta prindër nëse fëmijët e tyre do të kishin të njëjtin problem si i i biri i tij.

Drejtoi i shkollës tha: “Në atë mbledhje u bë diçka saqë ne nuk arritëm as të flisnim, pasi prindërit ishin shumë të irrituar. Demokraci është pushteti i shumicës dhe mua më kanë ardhur të gjithë prindërit.

Vendimin nuk e marr unë, ishte një grup komisioni aty që vendosën që Rildi do rrijë 2 deri në 3 orë këtu dhe 2 atje”.

“Ai ngrihet nga banka dhe shkon dhe ulet te banka e nxënësit tjetër, duke i thënë shtyhu ti se do ulem unë këtu. Shkon e vjen te karrigia e mësuesit, e kap regjistrin, e mbyll dhe e hedh.

Këto janë shenja agresiviteti. Ai vjen nga klasa e gjashtë e hyn te klasa e nëntë dhe ulet te karrigia ime”, tha mësuesi kujdestar.

Përgjegjësja e Qendrës Speciale Komunitare, Anila Bebri e cila e ndjek prej një muaji 13-vjeçarin, u shpreh se Rildi nuk është aspak agresiv, vetëm se ka dëshirë të zhvendoset në mënyrë të çrregullt nga njëra klasë te tjetra.

“Rildi është stabilizuar në atë një orë terapi që zhvillon këtu, individuale. Vazhdon të punojë rregullisht. Nuk ka probleme agresiviteti, menaxhohet lehtë në momentin që ne e kemi këtu në qendër.

Thjesht ka dëshirë të flasë një çikë si shumë dhe t’i anashkalojë detyrat, por jo mund të menaxhohet”, shpjegoi përgjegjësja.

13-vjeçari u shpreh se i pëlqen shumë të qëndrojë te Qendra Speciale Komunitare, ndërsa në shkollë nuk e lejojnë shokët të luajë me ta. Gazetarja e emisionit Stop iu drejtua Zyrës Arsimore Pogradec, ku specialisti Elton Canellari tha se Rildi do të kthehet me orar të plotë në shkollë, e pas mësimit do të ndjekë terapinë edhe në qendrën komunitare.

Burimi: tvklan.al