3 shtetet ku emigrantët shqiptarë ndihen më të lumtur

5092
0

Pasi kemi dëgjuar nga emigrantët e Greqisë hallet e krizës shumëvjeçare, na është lodhur koka me soggiorno-n dhe probleme të shtetëzimit të brezit të dytë në Itali, jemi trembur me historitë -40 gradë në vendet nordike (të ftohta në sjellje, siç janë edhe në temperaturë), me rrjetet mafioze të Belgjikës, me martesat e palumtura për dokumenta apo rreshtimin e fëmijëve për asistencë sociale në Angli, me endjet e gjata në kampet e Gjermanisë, pasi kemi buzëqeshur me “arrogancën” e emigrantëve të SHBA-së, që sa herë vijnë na tregojnë se çfarë s’po bëjmë mirë (dhe pastaj ikin dhe na braktisin në gabimet tona), apo me përmendjen çdo dy fjalë të “bill-eve që kanë për të paguar”; pasi kemi përjetuar frikën e emigrantëve të Francës nga rryma nacionaliste anti-emigracion (e më pas gëzimin kur fitoi Macron) dhe taksat super të larta; pasi mezi dëgjojmë (se flasin shumë ulët) ankesat e shqiptarëve në Zvicër për racizmin social, kuptuam se vetëm nga tri shtete (ndër shtetet që kanë përqindjen më të madhe të emigrantëve shqiptarë), nuk kishim dëgjuar asnjë ankesë. Përkundrazi, shqiptarët që jetojnë aty kanë një qetësi të admirueshme dhe të vetmit që realisht na zilepsin për jetën e tyre

Shqiptarët në Kanada

Ah Kanadaja! E njohur si “motra e çuditshme e Amerikës”, Kanadaja është aq e butë dhe tolerante, saqë nuk e vret mendjen për shakatë amerikane apo franceze ndaj stilit të jetesës apo dialektit të tyre (të tmerrshëm) në frëngjisht e anglisht.

Por ama kur Trump vjen në pushtet,  gjysma e atyre që janë tallur historikisht me kanadezët, duan të emigrojnë pikërisht aty. Të mos flasim për kryeministrin bukurosh Justin Trudeau, që bën joga në orar të punës dhe diskuton legalizimin e marijuanës.

Edhe pse larg dhe me mall për vendlindjen (kush nuk e ka), shqiptarët e Kanadasë janë ndier të respektuar që në aplikimin e parë. Kanadaja u ka hapur dyert emigrantëve profesionistë dhe madje në Toronto gjen një numër të madh intelektualësh (kryesisht në inxhinieri), aq sa për shumë kohë qyteti njihej ndryshe si “Tirana Town”.

Sistemi shëndetësor është falas, shkollat janë shumë të lira, punën e gjen sipas meritës (dhe shqiptarëve s’ua kemi frikën në shkollë) dhe askush nuk të paragjykon. Me aq natyrë të bukur sa ka Kanadaja, shqiptarët atje shijojnë më shumë se kudo pikniqet, ecjet në mal apo pyll dhe hobi të tjera jashtë orarit të punës, që në vende të Europës as nuk kanë kohë e nerva t’u përkushtohen.

Shqiptarët që vijnë nga Kanadaja kanë një butësi që rrallë e ndesh në Shqipëri. Atyre u janë zhdukur rrudhat që ne na krijohen nga skepticizmi dhe shfryrjet, të cilat nisin që kur zgjohemi në mëngjes nga trapani i komshiut e deri kur flemë me lajme protestash e sharjesh në kokë. Ata janë të sjellshëm, flasin me zë të ulët dhe gjithmonë mikëpritës kur u shkon për vizitë. Pse të mos jenë? Fundja një shtëpi normale në Kanada, pas disa vitesh punë, është sa një vilë normale në lagjet e pasura shqiptare.

Shqiptarët në Spanjë

Spanja ka rreth 5 milion të huaj dhe ndryshe nga shtete të tjera të Europës, është një vend ideal për të punuar dhe për të krijuar familje. Po pse?

E para: Spanja nuk ka patur kurrë asnjë lëvizje nacionaliste kundër emigracionit. Spanjollët, të cilët vetë e kanë vuajtur emigracionin gjatë regjimit autoritar të Franco-s, i mirëkuptojnë të gjithë ata që kërkojnë punë diku gjetkë, për t’u shpëtuar vështirësive ekonomike në vendin mëmë.

E dyta: Duke vuajtur plakjen e popullsisë, Spanja u jep automatikisht kombësinë fëmijëve të emigrantëve, të cilët kanë lindur në Spanjë.

E treta: Spanja ka më të mirën e dy botëve: mesdhetare dhe europiane, që përbën edhe vendin ideal për shqiptarët.

Një vend që ka pasur “Siesta” (koha e gjumit të drekës) me ligj, si mund të mos jetë një vend fantastik për t’u jetuar? Edhe pse tashmë po diskutohet heqja e Siestës, për një kohë të gjatë, të shtyrë nga temperaturat e larta, spanjollët merrnin 2-3 orë pushim në drekë, për të vijuar të freskët punën deri në orën 19:00-20:00 të darkës. Ushqimi, natyra, kultura dhe fakti që spanjollët janë aq entuziastë për jetën, janë arsye për të jetuar mirë edhe nëse nuk ke 3 shtëpi e 2 kolibe si shqiptarët në Amerikë.

Shqiptarët në Austri

Si mund të jetë “i keq” vendi ku ka lindur e ka krijuar Mozart-i, Haydn-i apo Strauss-i, që ka nxjerrë disa nga arkitektët dhe mjekët më të mirë në botë?  Çfarë të këqijash mund të presësh nga Austria, ku universitetet janë të klasit ndërkombëtar, por studentët jashtë BE-së paguajnë 1000 euro për semestër (më lirë se tek privatët tanë).

Austria ka qënë gjithmonë e mirë me emigrantët. Që prej vitit 2011, shteti në kufi me Gjermaninë ka nxjerrë një leje të quajtur “Karta e kuqe-e bardhë-e kuqe”, që lejon të huajt jashtë BE-së të punojnë e të jetojnë në Austri.

Pastaj Viena është vetëm dy orë larg Tiranës me avion dhe Austrian Airlines nuk na ka zhgënjyer asnjëherë gjatë këtyre viteve me shërbimin e saj.

Edhe pse gjatë viteve ka pasur përpjekje të nacionalistëve ekstremistë të djathtë për të marrë pushtetin, austriakët nuk ia kanë dhënë kurrë. Përkundrazi, shteti ka qënë një ndër më mikpritësit ndaj refugjatëve. Në Vienë, por edhe në qytete të tjera, gjeni me mijëra serbë, kroatë, shqiptarë të Kosovës që u sistemuan atje pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Edhe në 2015-ën, Austria nuk u tremb si vende të tjera europiane, por i hapi dyert për refugjatët nga vendet muslimane.

Për austriakët, prejardhja dhe besimi fetar nuk ka qenë asnjëherë problem. Madje Viena ka qënë prej vitesh një qytet shumëkulturor dhe qendër për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe dialogun ndërfetar.