25-vjeçarja nga Tirana: Më hoqën nga puna se jam e shëndoshë!

731
0
Nga Olta Gjini – Asnjëherë nuk ka parametra perfektë apo standarde të caktuara sa i përket formave trupore. Në shoqëri, nëse je mbipeshë do të thotë që gjykohesh si dembel, i dobët, jo inteligjent dhe me vullnet të ulët. Stereotipi për një person obez shkon edhe më tej: Nuk merren seriozisht kur shihen nga mjekët dhe madje janë të “detyruar” të kenë çrregullime të ngrënies për shkak të idesë së vazhdueshme të humbjes së peshës. Se të paragjykuar janë njerëzit mbipeshë në Shqipëri? Elona Lica, nga Tirana, e cila vuan nga obeziteti, ka rrëfyer për Gazetën “Si”, historinë e diskriminit të saj në një vend pune. 25-vjeçarja ka treguar se mbipesha e saj, ka bërë që shpeshherë ajo të shihet si hije e zezë në shoqëri dhe në vendet e punës ku ajo ka punuar. “Fillova punë përpara disa kohësh në një qendër tregtare, fillimisht pashë që dyqani kishte nxjerrë një njoftim se kërkonin shitëse, unë dërgova CV-in time. Dhe nisur nga CV, ata më njoftuan që duhet të shkoja të filloja punë. I plotësoja të gjitha kriteret që ata kërkonin për atë vend pune, kisha punuar edhe më përpara në një pozicion pune, si shitëse”, rrëfen Elona. Ajo thotë se tre ditë pasi nisi punë, pronari i dyqanit, të cilin ajo e takoi për herë të parë dhe të fundit ditën që ai e largoi nga puna, erdhi dhe i kërkoi që të largohej, pasi ajo kishte qenë në provë për disa ditë dhe fatkeqësisht ajo nuk plotësonte kërkesat e punës që ai kërkonte. “Ishte dita e tretë që unë kisha nisur punë, isha korrekte me orarin dhe klientët e dyqanit. Ashtu siç ata kishin një rregull, që të gjitha shitëset duhet të rrinin në këmbë për gjashtë orë; të njëjtën gjë bëja dhe unë. Dhe jo për faktin që çdo lëvizje që unë bëja, pronari i dyqanit e shihte nga kamerat, por e doja atë punë, përpiqesha në maksimum të isha korrekte, me gjithçka që ata kërkonin. Mesditën e ditës së tretë të punës time, vjen pronari dhe më kërkoi që të shkoja të flisja me të. Ishte hera e parë që po e takoja. Bashkëshorten e tij e kisha takuar edhe më përpara, ndërsa atë jo”, thotë Elona. “Filloi të më fliste me një ndjenjë “keqardhje”, sikur po i vinte ‘keq’ që ishte i detyruar të më largonte nga puna. Më tha që unë isha vajzë korrekte dhe e sjellshme, por fatkeqësisht nuk i përshtatesha vendit të punës. Pasi më tha që unë nuk i përshtatesha atij vendi pune, nxori më dha 1000 lekë, për periudhën e punës që kisha punuar, saktësisht dy ditë e gjysmë punë”, përfundon rrëfimin e saj 25-vjeçarja. Mbipesha, formë paragjykimi jo vetëm në Shqipëri Një 41-vjeçare nga Amerika ka rrëfyer historinë e saj të diskriminimit për shkak të mbipeshës. Kur Sarah Bramblette i kërkojë punëdhënësit të saj se çfarë duhet të bëjë për t’u rritur në detyrë, në një kompani ku ajo punonte për gjashtë muaj, ajo mori një përgjigje që nuk e priste: “përshtat veshjen me pozicionin e punës që kërkon”. Shumicën e kohës në ditët e punës ajo kishte veshur pantallona të zeza, këmishë të bardhë dhe flokët i kishte mbajtur gjithmonë të kapura. Ajo mendonte se veshja e saj ishte e pastër dhe etike për vendin e punës, ndryshe nga disa koleget e saj të cilat ndonjëherë mbanin pantallona të ngushta, si ato që vishen për të bërë Yoga. Ajo besonte se kishte të gjithë kualifikimin profesional për atë pozicion pune që ajo kishte kërkuar. Këshilla që i dha punëdhënësi i saj e bëri që të mendojë të ndryshojë stilin e veshjes, kështu që ajo filloi të kishte një stil më formal, ndërsa ndryshonte shpeshherë modelin e flokëve. Por teksa një ditë ajo po futej në punë, pronari i saj e ndaloi që në hyrje, duke e pyetur nëse ajo kishte ndonjë takim personal pas punës; çka nënkuptonte se ajo që kishte zgjedhur të vishte nuk është aq etike. Në atë kohë ajo peshonte rreth 150 kilogramë dhe vuante nga ipedema dhe limfedema, të cilat shkaktojnë ënjtje të lokalizuar në krahët dhe këmbët. Me një veshje që ishte tipike për vendin e punës dhe pozicionin që ajo mbante, Sarah Bramblette ka bindjen se ishte e papranueshme që të kritikohej nga pronari i saj pikërisht për shkak të veshjes. Në Amerikë mbipesha ddhe obeziteti janë një epidemi e vërtetë dhe paragjykimi ndaj tyre është duke u rritur dukshëm. Hulumtimet tregojnë se diskriminimi në lidhje me peshën është rritur me 66 për qind në dekadën e fundit. Problemi është veçanërisht i dëmshëm për punonjëset femra. Gratë kanë më shumë gjasa që meshkujt të gjykohen për paraqitjen e tyre në vendin e punës. Ndërkohë, njerëzit e shëndoshë të të gjitha gjinive paguajnë një çmim në çdo fazë të procesit të punësimit. Atyre që në fillim u afrohet pagë më e ulët dhe shihen si më pak të kualifikuar, pavarësisht formimit profesional që ata kanë. Ndërkohë që personave mbipeshë u kërkohet të punojnë me orare më të zgjatura se punonjësit e tjerë që janë në formë. Nuk është për t’u habitur pse gratë mbipeshë përjetojnë diskriminim në rritje në ambientet e punës. Gratë e prekura nga obeziteti përballen me një ndëshkim edhe tek pagat, ato paguhen 6 për qind më pak se gratë që gëzojnë forma të rregullta, ndërsa meshkujt mbipeshë fitojnë rreth 3 për qind më pak se kolegët e tyre më në formë. Në një studim me më shumë se 2,400 gra mbipeshë, 43 për qind thanë se ishin stigmatizuar nga punëdhënësit e tyre për shkak të peshës së tyre dhe 54 për qind thanë se kolegët kishin bërë të njëjtën gjë. Hulumtimet gjithashtu sugjerojnë se kjo ndikon jo vetëm vendimmarrjen në vendin e punës, por edhe marrëdhëniet individuale të kolegëve. Më shumë se 90 për qind e grave që thanë se ishin diskriminuar në punë për shkak të peshës së tyre raportohet të jenë lënë jashtë ngjarjeve shoqërore, krahasuar me vetëm 8 për qind të meshkujve të cilët thanë se kishin përjetuar stigma të lidhura me peshën. “Ne e dimë se gratë janë shumë të vëzhguara për paraqitjen fizike në shoqërinë tonë, ne kemi ide shumë të rrepta se çfarë do të thotë të jesh tërheqëse”, tha Rebecca Puhl, zv/drejtoreshë e Qendrës Rudd për Politikat Ushqimore dhe Mbipeshën në Universitetin e Konektikatit. Diskriminimi për peshën në vendin e punës është një çështje e drejtësisë sociale, por gjithashtu ka rrënjë të thella psikologjike që janë të fshehta dhe të vështira për t’u nuhatur. Gjatë një eksperimenti shkencor iu kërkua pjesëmarrësve të shikonin fotografitë e kandidatëve politikë dhe t’i vlerësonin ata në një varg karakteristikash. Femrat kandidate që ishin mbipeshë, ndryshe nga meshkujt, nuk ishin përzgjedhur nga pjesëmarrësit në eksperiment. Michigan është i vetmi shtet në Amerikë që ka një ligj të shkruar që nga vitet 1970, duke i ndaluar në mënyrë eksplicite punëdhënësit që të diskriminojnë punonjësit e tyre për shkak të peshës. Ligjet federale ndalojnë diskriminimin e bazuar në klasa të tjera të mbrojtura – si mosha, gjinia, raca, feja dhe aftësia e kufizuar – por jo pesha. Disa shtete, si Masaçusets, kanë tentuar të miratojnë ligje që ndalojnë në mënyrë eksplicite diskriminimin në vendin e punës për shkak të peshës dhe gjatësisë por këto përpjekje nuk janë zbatuar. “Çdo përditësim i ligjeve kundër diskriminimit në këtë klimë përballet me një betejë të vështirë”, tha Gillian Thomas, një avokat i stafit në Projektin për të Drejtat e Grave të ACLU. “Unë jam pesimist për këtë lloj zhvillimi”, thotë ai. Dr. Scott Butsch, drejtor i mjekësisë së obezitetit në Institutin e Bariartrisë dhe Metabolizmit të Klinikës së Cleveland, ka punuar me pacientë të të gjitha fushave: mjekë, juristë, mësues, madje edhe këngëtarë të operas, të cilët kanë ndarë përvojat e tyre lidhur me diskriminimin për shkak të peshës në punë. Shumica e këtyre rrëfimeve kanë qenë nga njerëz të cilët kanë thënë se pasi kanë humbur kilogramët përmes kirurgjisë, kanë parë se papritmas karriera e tyre ka lulëzuar.