20 vjet mendonte se kishte migrenë, por e vërteta ishte krejt ndryshe, Albano Bogdo tregon rastin e pazakontë

1196
0

Problemet e shëndetit mendor shoqërohen me shenja të cilat mund ngatërrohen. Ka raste që shqetësimi psikologjik shndërrohet në dhimbje fizike. Ky është edhe rasti që sjell në studion e “Opinion”, aktori Albano Bogdo. Ai tregon për rastin e pazakontë të një personi të afërt, që për 20 vjet mendonte se vuante nga migrena, por në fakt zbuloi se vuante nga depresioni. Mjekja psikiatre Irena Thona shpjegon se ky është depresion i maskuar.  

Irena Thona: Dhimbja psikosomatike, pra konvertimi ose shndërrimi i shqetësimit psikologjik, në ankesë fizike. Për shembull dhimbja që ka pasur Albano, ose rrahja e shpeshtë e zemrës ka qenë një simptomë fizike në fakt, por ajo ka qenë më origjinë psikogjene.

Albano Bogdo: Para 3 muajsh çova një personin tim shumë të afërt, që kishim 20 vjet që mendonim që vuante nga migrena, në fakt vuante nga depresioni. Kishte 20 vjet që i dhimbte nga koka dhe merrte ilaçe për dhimbjen e kokës, spondiliatrozën, për migrenën. Nuk ishte migrenë. Filloi antidepresantët dhe iu zhduk dhimbja për 4 ditë, të betohem, si magji.

Irena Thona: Është depresion i maskuar.

Më herët, aktori Bogdo rrëfeu problemet e tij që në adoleshencë me ankthin, që i shkaktonte rrahje të shpeshta të zemrës. Edhe mjekët mendonin se kishte probleme me zemrën, derisa zbuloi se në fakt nuk kishte probleme fizike, por probleme të shëndetit mendor.