Familja Greku në Dyshnik të Beratit përcolli me dhimbje vajzën e vetme, 18-vjeçaren Vikena Greku, e cila humbi jetën në një aksident tragjik tek ura e Dajlanit. 18-vjeçarja jetonte prej disa vitesh në Gjermani, me prindërit e saj Vullnet dhe Valbona Greku si dhe me vëllain e vogël. Njerëz të afërm të familjes thanë jashtë kamerës se 18-vjeçarja ishte kthyer në Shqipëri për të takuar gjyshërit e saj gjate pushimeve dimërore.
Pas emigrimit te prindërve në Gjermani vite më parë, Vikena dhe vëllai i saj i vogël Nevio kishin ndenjur me gjyshërit në fshatin Dyshnik në Berat, ku edhe kishin vazhduar shkollën 9-vjeçare, derisa prindërit bënë letrat e fëmijëve dhe i morën me vete në Gjermani, ku e reja vazhdoi shkollën. Burime pranë familjes thanë se Vikena kishte disa vite pa ardhur nga Gjermania dhe malli për gjyshërit e ktheu në vendlindje, por humbi jetën tragjikisht në aksident rrugor.
E reja udhëtonte nga Tirana drejt Durrësit dhe rreth orës 23:15 te 15 janarit kur u aksidentua tek Ura e Dajlanit në hyrje të Durrësit. Automjeti tip BMW X5, i drejtuar nga Arbër Xhaxhaj, 26 vjeç nga Fieri lëvizte me shpejtësi deri në 130 km/orë. Vikena Greku gjendej në sediljen e parë të automjetit, i cili nga shpejtësia fluturoi nga mbikalimi dhe përfundoi në një dyqan lulesh poshtë urës. Burimet hetimore bëjnë me dije se shoferi i dehur kishte ngatërruar korsinë e lëvizjes, duke marrë rrugën e portit në vend të asaj të plazhit.
Në aksident mbetën të plagosur edhe dy këmbësorë. Policia konfirmoi se shoferi rezultoi me nivel alkooli 0.50 mg/l, çka ndikoi në arrestimin e tij. 26-vjecari, i cili gjendet i plagosur në spitalin e Durrësit u njoh me masën e caktuar nga gjykata arrest me burg. Ai do të përballet me akuzat “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.