Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Gjirokastrës këtë të dielë, më 20 prill, ku një i ri 17-vjeçar, Vehip Peçi, është gjetur i pajetë në banesën e tij në fshatin Valarë. Sipas burimeve zyrtare, ai i ka dhënë fund jetës përmes vetëvarjes, një akt që ka shkaktuar tronditje të thellë në familje, shkollë dhe më gjerë.
Vehipi ishte nxënës në gjimnazin “Siri Shapllo” dhe, sipas të afërmve dhe miqve, kishte kaluar kohët e fundit një periudhë të vështirë psikologjike, me shenja izolimi dhe melankolie. Edhe pse disa ekspertë kishin sugjeruar ndërhyrje të specializuar, nuk kishte ndonjë trajtim mjekësor të vazhdueshëm. Mësohet se ai kishte ndarë mendimet e tij për aktin tragjik me disa prej shokëve të afërt, ndërsa në banesë janë gjetur edhe shënime ku kërkonte ndjesë ndaj prindërve, stafit shkollor dhe miqve.
I riu jetonte me nënën dhe dy motrat e vogla, ndërsa babai punonte si kuzhinier në një anije në Greqi dhe qëndronte shpesh larg familjes. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, dhe megjithëse familjarët e dërguan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, mjekët konfirmuan se kishte ndërruar jetë para mbërritjes.
Policia ka sekuestruar telefonin dhe shënimet personale të të ndjerit dhe po merr në pyetje shokët e klasës dhe stafin pedagogjik për të kuptuar më mirë rrethanat që çuan në këtë vendim fatal. Një nga pistat e hetimit përfshin edhe mundësinë e ndonjë ndikimi me natyrë fetare, por kjo nuk është konfirmuar si pistë kryesore.
Kjo tragjedi vjen vetëm dy muaj pas vetëvrasjes së një tjetër 17-vjeçareje, Irsa Meçollari, nga e njëjta shkollë. Edhe pse nuk ka ende prova për një lidhje mes dy rasteve, autoritetet po shqyrtojnë nëse kanë ekzistuar ndikime apo nxitje të përbashkëta.
Vehipi ishte njohur si një djalë i komunikueshëm dhe aktiv, pa histori të bullizmit apo probleme serioze në shkollë, çka e bën këtë humbje edhe më të pashpjegueshme për ata që e njihnin.
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta dhe kërkesa të menjëhershme për rritjen e vëmendjes ndaj shëndetit mendor të të rinjve dhe për ndërhyrje të hershme në raste të ngjashme, për të shmangur tragjedi të tjera të këtij lloji./gsh/