150 kg kokainë nga Ekuadori në Itali brenda kontejnerëve me banane, arrestohen 3 “korrierët” shqiptar 

361
0

Tre shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane pasi akuzohen se ishin “korrierët” e një sasie prej 150 kg kokainë e mbërritur në Portin e Livornos. Në pranga kanë përfunduar vëllezërit Ylber dhe Napolon Arshi, 37 dhe 35 vjeç, dhe 30-vjeçari Goliano Zhupa, ku asnjëri prej tyre nuk është rezident në Itali, por kishin mbërritur vetëm pak orë para arrestimit për të marrë në dorëzim sasinë e kokainës.

Kokaina kishte mbërritur me kontejnerë me banane nga Ekuadori drejt Portit Livorno në Itali, ndërsa ngarkesa e frutave ishte nën emrin e një kompanie me bazë në Zvicër.

Ngarkesa e drogës ishte nisur nga porti ekuadorian i Guayaquil në Ekuador përmes kontejnerëve me banane, kaloi Kanalin e Panamasë dhe u drejtuar Evropës. Anija pati një qëndrime dhe në portin e Labros dhe më pas u shkarkua në Portin e Livornos në Toskana.  

Me të mbërritur në portin e Livornos autoritetet u sinjalizuan për prezencën e kokainës në këto kontejnerë dhe u monitoruan për të parë se kush do të merrte drogën në dorëzim. Pas pak orësh u shfaqën tre shqiptarët, të cilët ndodhen në paraburgim dhe nuk kanë pranuar të flasin se kujt i përkiste kokaina dhe se kush ishte destinacioni i saj përfundimtar.

Kokaina ishte e ndarë në 139 pako me peshë 1.1 kg secila dhe kap vlerën e dhjetëra milionë eurove po të shitej në treg.