14 herë ‘për Amerikë’, mësuesja nga Korça aplikon çdo vit. Po nuk fitova, do vazhdoj ta hedh lotarinë kudo që të jem

468
0

Kjo është Miljana Liço nga Korça, e cila prej më shume se 10 vitesh aplikon çdo vit për lotarinë amerikane.

“Është hera e 14 që unë aplikoj për vizën amerikane dhe çdo vit është e njëjta dëshirë, pavarësisht zhgënjimit të madh në çdo tetor lind po e njëjta dëshirë për të ikur dhe aplikuar për vizën amerikane”, thotë ajo për Euronews Albania.

Miljana është mësuese e gjuhës gjermane, e cila po këmbëngul nga viti në vit për t’u larguar nga vendi ku jeton. Por çfarë e shtyn atë të kërkojë largimin nga Shqipëria?

“Me Shqipërinë shkojnë të gjitha. Me shqiptarët ka shumë probleme. Me shqiptarët nuk shkon marrëdhënia në punë, marrëdhënia korrekte mes njerëzve, marrëdhëniet shoqërore. Janë problematika që shkojnë përtej personales, janë problem që ne e kemi si popull, korrektësinë dhe të qenit empatik me tjetrin. Kjo ma mungon dhe kjo mua me bezdis e me shqetëson shumë për të vazhduar jetën time në këtë vend”, shprehet Miljana.

Edhe pse sot ajo është në punë dhe fiton të ardhura, sërish nuk ndihet e përmbushur në Shqipëri.

“Nuk është vetëm rroga ajo që me pengon për të jetuar këtu. Një rrogë e mire nuk do të thotë absolutisht një jetese e mire. Kur ti nuk ke njerëzit e duhur për të bere një jetë të qetë sociale, atëherë rroga është thjeshte një bonus, jo arsye për të qëndruar”, tregon 32-vjeçarja.

Për të është e qartë që të ardhmen e sheh jashtë vendit, madje ka edhe një plan B.

“Në Gjermani patjetër. Në qoftë se unë nuk e kam sërish mundësinë, do vazhdoj ta hedh lotarinë kudo që të jem”, u shpreh Liço

Si kjo e re, janë me qindra të rinj dhe jo vetëm që kanë aplikuar për lotarinë amerikane dhe jo vetëm, duke e kthyer trend në problem për të ardhmen e vendit tonë