10 pyetje të shqiptarëve që vetëm Ambasada Amerikane ka të drejtë t’i bëjë.

975
0

Ne shqiptarët ndoshta nuk jemi populli më i zgjuar në botë, ama pyetje kemi më shumë se filozofët e Greqisë së lashtë të cilët gjithçka bënin në jetë ishte të pyesnin. Nga këtu lindi filozofia dhe nëse do ta shohim në këtë këndvështrim, populli jonë duhet të jetë i mbushur me filozofë.

Megjithatë nëse freskojmë pak memorien mbi pyetjet që rëndom mund të na bëhen pjesë e ditës nga të njohur e të panjohur, më tepër se pyetje filozofikë, këto tonat ngjajnë më shumë me ato pyetjet zhbiriluese që siç thonë në barcaleta, vetëm Ambasada Amerikane ka të drejtë t’i bëjë.

Mirëpo, në fund të ditës, këto pyetje që na ngrejnë nervat e na bëjnë të arratisemi sa më shpejt të kemi mundësi nga këtu e të shkojmë në një vend ku askush nuk na njeh, shënjojnë në fakt një pjesë të identitetit tonë ndaj duke qenë se nuk mund t’i shfarosim dot, të paktën le të argëtohemi duke i mbledhur edhe një herë në këtë artikull që vendosëm të bëjmë.

  • Sa e ke rrogën? 

Nuk ka rëndësi nëse ke punuar një ditë apo një jetë. Këtë pyetje do ta marrësh që duke filluar nga ata ‘të shtëpisë’ e deri tek ai xhaxhi që të ndihmon të drejtosh makinën në parkim. Të gjithë kemi nevojë të dimë rrogën e njëri tjetrit sepse vetëm kështu mund të sëmurim akoma më shumë atë egon (që në rastin më të mirë është ego sepse zakonisht është inat) “se si ka mundësi që kjo vajza e shtëpisë tonë nuk po ja del të ketë një rrogë të hajrit ndërsa ti, po?!”

  • Kë do më shumë mamin apo babin? 

Kjo është pikërisht pyetja që të vret fëmijërinë dhe e çuditshme në fakt të mendosh se është pyetja e parë që të bëhet sapo të tjerët kanë marrë vesh se ti tashmë je një bebe që mund të reagosh edhe duke folur disa fjalë. Kurrë s’kemi dashur t’i përgjigjemi dhe kurrë s’kemi ditur se si është përgjigja më e saktë e kësaj pyetje në mënyrë që të mos mërzisësh as mamin e as babin sepse edhe kur thua një “të dy njëlloj” kundërpërgjigjia është e menjëhershme: “hë mos bëj kështu se njerin e do pak më shumë ti…”

  • Pse nuk e bën një bebe?

Kalove të 25-tat? Epo përgatitu shpirtërisht për këtë pyetje sepse nuk ka njeri që flet shqip e nuk do të drejtojë një herë të vetme. Sikur bebet të bëheshin me buton, ndoshta do ta kishim shfarosur këtë pyetje, por jo!

  • Po kaq e vështirë është të gjesh një burrë?

Faleminderit që më bën të ndihem e dështuar për jetën time me këtë pyetje. Nuk është e vështirë të gjesh burrë, është e vështirë të gjej të përshtatshmin për mua! Ahh, lërë fare dhe thuaj: “Hahaha, çtë bëjmë aman!”

  • Çfarë note more në provim? 

Po sikur të të them se nuk e kam dhënë provimin fare?! Ose më saktë për çfarë dreqin të duhet nota ime e provimit? Ose më saktë fare, çfarë të duhet jeta ime në përgjithësi?! “9 mora, 9…”

  • Kush ka ofertë? 

Nëse do të ma kursesh acarimin më mirë më thuaj: “Mund ta përdor pak telefonin tënd?” dhe pasi ke marrë një përgjigje pozitive, të lutem mos u fut të kontrollosh me internetin tim të gjitha ‘Instastory’-t e llogarisë tënde në Instagram!

  • Po pse veshe pikërisht këtë fustan/bluzë/xhaketë?

Po sikur të më kishe thënë paraprakisht që të merrja leje? Sepse kështu kam qejf? Sepse kjo më pëlqeu? Sepse s’kam pse të pyes ty fare? Sepse po më acaron keq me këtë pyetje?

  • Çfarë bëtë sot për drekë ju?

Nuk bëra fare drekë. Do shkoj të shqyej një sanduiç të madh sa koka ime. Dhe pse duhet të të them ty se çfarë kam gatuar për drekë dhe dreqin, pse e merr të mirëqenë që kam bërë drekë?!

 

  • Për kë votove ti?

KUTI.E.FSHEHTË.DREQI.TA.MARRË…