🔥 Korriku nis me vapë ekstreme – “Normaliteti i ri” shënon deri në 41°C në Shqipëri sipas sinoptikanes Tanja Porja
Muaji korrik ka hyrë me temperatura përvëluese, duke ndjekur një qershor gjithashtu jashtë normales. Ekspertët e motit paralajmërojnë se Shqipëria ndodhet në periferi të një vale të fuqishme të të nxehtit që ka përfshirë Europën Qendrore dhe Jugore, me vlera që në disa qytete po shënojnë 40 deri në 41°C.
“Normaliteti i vjetër” i qershorit – me temperatura maksimale deri në 30-31°C – tashmë është tejkaluar. Pothuajse gjithë muaji ka pasur temperatura mbi 35°C, me një rekord prej 40°C në ditët e fundit. Tani ekspertët flasin për një “normalitet të ri” klimatik, ku 36-38°C po bëhen vlera të zakonshme për verën shqiptare.
Parashikimet tregojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë deri më 10-12 korrik, kur pritet një freskim relativ, me temperatura që do të zbresin deri në 36-37°C. Megjithatë, kjo luhatje mbetet brenda niveleve të larta dhe nuk parashikohen reshje të konsiderueshme, përveç ndonjë rrebeshi të izoluar në lindje të vendit gjatë fundjavës.
Sipas hartave sinoptike, vala e nxehtësisë do të zbutet nga një masë ajrore më e freskët që zbret nga rajonet polare drejt Alpeve Europiane. Në disa zona alpine si Zvicra apo Austria, rreth datës 10 korrik mund të ketë edhe reshje bore – një kontrast i fortë me temperaturat ekstreme në gadishullin Iberik dhe në Ballkan.
Ndërkohë, specialistët apelojnë për kujdes, pasi ky intensitet i nxehtësisë rrit ndjeshëm edhe rrezikun për zjarre dhe rrezikshmëri për shëndetin, sidomos për të moshuarit, fëmijët dhe ata me probleme kardiovaskulare.