Takimi mes presidentëve Zelensky dhe Putin, çelësi për paqen

260
0

Lufta e Rusisë në Ukrainë nuk merr fund pa një takim të nivelit të lartë mes presidentëve. Kështu, Volodymyr Zelenski përsërit nevojën për një përballje me homologun Vladimir Putin, teksa shprehet i hapur për të diskutuar me të dhe për territoret e pushtuara.

Por, çdo kompromis mes Kievit dhe Moskës duhet të mbështetet dhe nga qytetarët ukrainas përmes një referendumi. 

“Nuk jam takuar me negociatorët rusë, por u kam shpjeguar përfaqësuesve tanë se kur flitet për ndryshime të rëndësisë histroike, nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveç mbajtjes së referendumit. Njerëzit duhet të flasin lidhur me kompromiset e mundshme. Mendoj se derisa të vijë ky moment, duhet një takim me presidentin rus.

I kam bërë ftesë të përsëritur gjatë këtyre viteve dhe mendoj se pa një takim nuk mund të kuptojmë vërtet se çfarë janë të gatshëm të bëjnë për të ndalur luftën dhe çfarë janë gati të bëjnë nëse ne nuk pranojmë një kompromis apo tjetrin”, tha Zelensky.

Takimi mes presidentëve Zelensky dhe Putin është çelësi për vendosjen e paqes, pohon negociatori ukrainas, Mikhail Podolyak. Ai nuk përmendi një datë për këtë ballafaqim, teksa tha se po përgatitet me palën ruse dhe se mund të zhvillohet sapo të hartohen dokumente paraprake për një marrëveshje. Gjithashtu, përshëndeti gatishmërinë e liderëve të botës për të ndërmjetësuar një takim të tillë.

Nga ana tjetër, Rusia kërkon që negociatat për paqe të jenë më aktive dhe kuptimplote. Kremlini njofton se një draft me kërkesa për marrëveshje i është dorëzuar Kievit dhe se respekton nevojën e një referendumi për ndryshimet kushtetuese.
Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, tha: “Ukraina është një shtet sovran, prandaj duhet të ketë procedura të brendshme. Por, përveç kësaj, ka disa gjëra në tryezë, të cilat dy delegacionet duhet t’i shqyrtojnë. Nuk mund të zbuloj detaje, pasi kjo do të dëmtonte procesin e negociatave”.

Ndërkohë, delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës mbajnë çdo ditë negociata për të vulosur një marrëveshje paqeje. Kushtet nuk ndryshojnë, Kievi kërkon ndalimin e luftës, tërheqjen e ushtrisë pushtuese nga territori i saj dhe garanci ligjore dhe efikase për sigurinë, ndërsa Moska kërkon një status neutral ushtarak për Ukrainën, denazifikim, demilitarizim, njohje të Krimesë si territor rus dhe të pavarësisë së republikave të Luhanskut dhe Donetskut.