Sul.mohet programi i Arbana Osmanit, “Dua të të bëj të lumtur” , mbërrin letra pranë Top Channel

1202
0

Programi i Arbana Osmani po shkel hapur të drejtat e njeriut dhe ato me bazë gjinore. Ky është përfundimi i 35 organizatave të cilat punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, të drejtave të vajzave dhe grave, dhe me fokus të veçantë te viktimat e dhunës me bazë gjinore, të cilat i kanë drejtuar Televizionit Kombëtar “Top Channel” – Programit “Dua te të bëj të lumtur”, një thirrje për shmangien e trajtimit riviktimizues ndaj viktimave të dhunës në familje dhe për dhënien e mesazheve të drejta kundër dhunës me bazë gjinore.
Në letrën e hapur drejtuar Programit “Dua të të bëj të lumtur” në Top Channel, këto organizata vlerësojnë se mënyra e trajtimit të historisë personale të një gruaje viktimë e dhunës në familje, ushtruar nga bashkëshorti i saj justifikon ushtrimin e dhunës në bazë gjinore duke u bërë faktor në riviktimizimin e vajzave e grave të dhunuara. “Trajtimi jo i drejtë i këtij rasti abuzimi ka nxitur një valë të re komentesh të cilat paragjykojnë gratë e dhunuara, duke justifikuar dhunën ndaj tyre. Kjo qasje përforcon stereotipet gjinore ku gratë perceptohen si të nënrenditura, si pronë dhe ku dhuna tolerohet apo justifikohet dhe vjen si pasojë e një “faji” të viktimës.


Pavarësisht se Znj. E. është në moshë madhore dhe është përgjegjëse për vendimet/zgjedhjet e saj, ne vlerësojmë se kjo histori nuk duhej përdorur në një fokus mediatik të tillë.”. Në emision historia e çiftit paraqitet si e zakonshme, madje duke i shtuar nota romantizmi. Nga ana tjetër trajtimi që i bëhet episodit të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti kundrejt gruas serviret si një gjë e pranueshme nga të gjithë dhe mëse normale.


Prezantuesja e emisionit bën një përshkrim të momentit të dhunës : “Ai është kthyer vonë dhe E. është bërë me nerva. E.ngre zërin, ai po ashtu. Debati vjen e bëhet shumë i ashpër. Ka xhelozi, ka dashuri, ka urrejtje , ka sherre të akumuluara të cilat përshkallëzohen. Sharje, ofendime, shtyhen me duar, ai e gjuan , ajo pothuaj rrëzohet.” Protagonistja dhe rrëfyesja e ngjarjes shprehet se pas këtij akti dhune e kishte denoncuar bashkëshortin në polici.


“ Ai qëndroi 8 muaj në burg. U bë gjyqi dhe cdo gjë dhe përfundoi 8 muaj në burg. Mirëpo këto 8 muaj se kuptova as unë si përfundoi, sepse pa asnjë provë nga ana ime. Se një shpullë faqes, nuk është se më mbyti.”Fakti që për protagonisten e ngjarjes një shpullë “nuk është asgjë”, tregon se ka vajza dhe gra të cilat e pranojnë këtë formë dhune duke e konsideruar normale, nëse bëhet fjalë për të mbajtur familjen e bashkuar.


Ajo u bë pjesë e këtij programi për t’i kërkuar falje bashkëshortit të saj që e kishte denoncuar për dhunën, ndërkohë promovimi i këtyre historive në një televizion kombëtar mund të legjitimojë dhunën dhe të përforcojë qëndrimin e gabuar se gratë dhe vajzat shqiptare detyrohen të pranojnë keqtrajtimin dhe të ruajnë një raport inferioriteti karshi burrave.


Marrë shkas nga kjo ngjarje, organizatat me fokus mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, kërkojnë bashkëpunimin e televizionit dhe medias për të reflektuar në qëndrimet si:Respektimin e parimeve etike gjatë transmetimit të materialeve që kanë të bëjnë me viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, duke shmangur promovimin e rasteve të cilat pranojnë dhe justifikojnë dhunën, direkt apo indirekt.


Raportimi i dhunës si një ‘gabim‘ dhe promovimi i ndjenjës së fajit dhe nevojës për të kërkuar falje nga ana e viktimës së dhunës, mund të nxisë viktima të tjera të heqin dorë nga raportimi i dhunës dhe si pasojë duke vënë në rrezik jetët e tyre. Në nivel shoqëror një qëndrim i tillë i medias përforcon stereotipet gjinore.


Ju ftojmë t’i bashkoheni qëndrimeve tona për të ndërtuar një shoqëri ku dhuna nuk tolerohet për asnjë arsye. Qasja shoqërore, e përforcuar edhe nga media ku kërkohen faji, apo motive e arsye që e “çuan” dhunuesin të dhunojë duhet të marrë fund. Forcimin e bashkëpunimit mes Medias dhe Shoqërisë Civile nëpërmjet nismave të përbashkëta, për të përmirësuar mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, si dhe ndërgjegjësimin e publikut lidhur me të drejtat e njeriut. Media duhet të jetë një faktor emancipues për stereotipet, rolet, pabarazinë gjinore dhe qëndrimet diskrimuese.


Sugjerojmë, që të konsultoheni me ekspertë të fushës paraprakisht në rastet kur prezantoni histori apo ngjarjeve që trajtojnë dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje, për të shmangur trajtimin jo të duhur të këtyre problematikave madhore të shoqërisë dhe familjeve shqiptare. Letra e plotë drejtuar Televizionit Top Channel, Programit “Dua të të bëj të lumtur”.