Rama intervistë për “Corriere Della Sera”: I kemi bërë detyrat e shtëpisë! Fola me Draghin për çështjen..

71
0

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Itali ka zhvilluar një intervistë për “Corriere Della Sera”, ku ka folur për integrimin europian, pandeminë, marrëdhëniet me shtetet e tjera ballkanike dhe refugjatët afganë.

Përsa i përket integrimit europian, Rama u shpreh se Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë, ndaj tashmë është në dorën e BE-së për të çelur negociatat e anëtarësimit.

“Është një moment i vështirë, pasi kriza e refugjatëve e vitit 2015 shpërtheu një valë populiste, viktima e parë e së cilës ishte procesi i zgjerimit të BE-së. Frika nuk është kurrë një këshilltare e mirë. Ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë. Tani fillimi i negociatave varet nga Bullgaria dhe nga efektiviteti i shtytjes së brendshme të vendeve të tjera. Por, nuk bëhet fjalë për jetë apo vdekje. Reformat bëhen sepse i nevojiten Shqipërisë, për të ndërtuar Shqipërinë moderne”, u shpreh Rama.

Kryeministri u ndal edhe te çështja e pensioneve të shqiptarëve që kanë punuar në Itali, teksa tha se ka biseduar me kryeministrin italian Mario Draghi për të përshpejtuar këtë proces.

“Tridhjetë vjet më parë mbërritëm në brigjet italiane me varka si alienët, por që atëherë ndryshimi ka qenë i pabesueshëm, pasi sot shqiptarët janë integruar plotësisht në Itali dhe ne kemi shumë biznese italiane në Shqipëri. Megjithatë, ne duhet të përshpejtojmë çështjen e pensioneve për shumë nga bashkatdhetarë tanë që kanë punuar për vite në vendin tuaj dhe që paguajnë kontribute në thesarin italian. Kam folur për këtë me Draghin”, u shpreh ai.

CDS: Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Si janë marrëdhëniet?
Rama: Asnjëherë nuk kanë qenë më të mira, sigurisht që ka probleme si ai i njohjes së Kosovës nga Serbia, por mendoj se mund të ndërtojmë një rrugë të përbashkët. Pastaj
varet nga ne nëse do të kemi sukses apo nëse duam të biem në kurthet e së kaluarës.

CDS: Ju jeni mbrojtës i rregullimit të përdorimit të mediave sociale, por a nuk cenon kjo lirinë e shprehjes?
Rama: Një rregullim është i nevojshëm, boll të shohësh se si kanë ndikuar këto vitet e fundit, nuk janë demokracitë që dalin të forta, por regjimet autokratike, imagjinoni se çfarë do të bënte sot propaganda naziste nëse do të kishte mediet sociale.

CDS: Në mars 2020, kur këtu në Itali shpërtheu pandemia, ju dërguat një ekip mjekësh dhe infermierësh, ndërsa këtë vit hapët dyert për refugjatët afganë. Ju jeni me të vërtetë një vend bujar.
Rama: E vërteta është se ne kemi një kujtesë që e ruajmë sepse nuk jemi mjaft të pasur. Italia ka bërë aq shumë për ne, sa edhe dy jetë nuk do të mjaftonin për ta falënderuar, ata pak mjekë sigurisht që nuk e kanë ndryshuar rrjedhën e luftës kundër Covid-it, por kanë mundur të tregojnë se edhe ne e përjetojmë dhimbjen tuaj. Sa për afganët, ne jemi një vend anëtar i NATO-s dhe ishte më e pakta që mund të bënim për njerëzit që ata besuan tek ne dhe punuan për ne.