‘Po iki ne Gjermani! Për të njëjtën punë do paguhem 10 fish’!

141
0

Të rinjtë e sotëm nuk kanë ndërmend të qëndrojnë në vendlindje!

Erijon Shala nga Istogu – qytet në pjesën perëndimore të Kosovës – synon të largohet drejt Gjermanisë.

I shoqëruar nga prindërit e tij, 19-vjeçari, me profesion automekanik, aplikoi për vizë pune në Ambasadën gjermane në Prishtinë, më 15 shkurt.

Teksa foli për Radion Evropa e Lirë, ai tha se nuk mund të punojë më për 15 euro në ditë.

Erijon Shala po pret përgjigjen e Ambasadës gjermane në Prishtinë lidhur me vizën e punës.

“Për më shumë se tetë orë punë jam paguar 15 euro, atje [në Gjermani] do të paguhem 17 euro për orë”, tha Erijoni.

Në dokumentet që kishte mbledhur për të aplikuar për vizë, kishte edhe një kontratë pune. Atë tha se ia ka siguruar një familjar i tij, që udhëheq një kompani për rregullimin e makinave, në qytetin Hajllbron të Gjermanisë.

Erijoni do të presë një javë përgjigjen e Ambasadës për vizë.

Prindërit e tij, edhe pse të brengosur për të, thanë se kjo është e vetmja mënyrë që Erijoni të bëjë një jetë më të mirë dhe t’i ndihmojë ata dhe vëllain e tij.

“Nuk e kam menduar që do të bëhet kështu, por tash nuk kam çfarë të bëj, më vështirë nuk ka ku shkon”, tha babai i tij, Ismet Shala, veteran i luftës në Kosovë.

Rruga e Kosovës për vizat

“Nuk dua të jetoj e as të punoj më në Kosovë”

Të martën e 15 shkurtit, kur REL qëndroi para Ambasadës gjermane në Prishtinë, aty gjendeshin dhjetëra qytetarë – kryesisht të rinj – që prisnin të aplikonin për vizë.

Edhe pse shumë prej tyre nuk deshën të flasin hapur, disa thanë se situata ekonomike, kushtet jo të mira të punës dhe pagat e ulëta i detyrojnë të largohen nga Kosova.

“Jam lënduar në vendin e punës dhe nuk kam marrë asnjë kompensim nga punëdhënësi. Edhe pse kam probleme me këtë këmbë të lënduar, unë do të shkoj të punoj në Gjermani dhe nuk dua të jetoj e as të punoj më në Kosovë”, tha një qytetar që nuk pranoi të identifikohej.

Gjermania është shteti më i popullarizuar për qytetarët e Kosovës, kur bëhet fjalë për lëshimin e vizave të punës. Atje është e përqendruar pjesa më e madhe e diasporës së Kosovës.

Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, vetëm në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti, mbi 100,000 qytetarë kanë aplikuar për vizë pune në këtë ambasadë.

Në muajin janar, Qeveria gjermane njoftoi se do të hapë 300,000 vende të punës për të huajt.