Mbetëm ne të ikurit që nuk ikim dot.

477
0

Ikën ata që shpallën pavarësinë,
madje iku edhe Haxhi Qamili,
Iku Selam Musai,
vate koha edhe për Themistoklin.

Ikën ata që kishin bërë studimet në Firence, Romë dhe Vienë,
dërguar nga Lartmadhëria Zogu i Parë, i vetëbërë mbret shqiptar,
Ikën edhe ata që më pas i bënë studimet në Moskë, Kiev dhe Leningrad,
mbetën ata që diplomohen me letra pa vlerë
njomur me ujë Lane.
Madje ikën edhe ata që studjuan në Kinë, Vietnam dhe Kore.
Gjithçka në tru ka zënë skorje,
Mall rrethinash elbasani.
Prodhim shkretëtire e Gobit, me etiketë anglosaksone.
Ose edhe ca të tjerë dru me pre!

Ikën gjeneralët,
mbetën kapterrët,
ikën dallëndyshet, lejlekët dhe arinjtë nga malet.
Ikën traktoristët,
Ikën kombajnerët!
Madje ikën edhe shoferët
të skodave Albania,
kontrabandistët,
Mbetën analistët,

Ikën ata që dinin latinisht.
Ikën dhe osmanologët.
Ikën ata të greqishtes së lashtë,
ikën përkthyesit e kinezces
ikën për belà edhe ata që dinin rusisht.
Nuk ka më as të burgosur për të përkthyer veprat e mëdha të artit botëror.
Tani mashtruesit përkthejnë rrëmbimthi me google translator.

Ikën ata që hekurudha dinin të ndërtonin,
ikën edhe ata që operonin,
Ikën ata që mbi supe dinin të mbanin pesëdhjetë vite burg,
ikën meshtarët ilegalë dhe hoxhallarët që agjëronin fshehur.
Ikën dhe besimtarët,
mbetën ne nga vdekja frikur.

Ikën dashnorët e serenatave,
ikën vajzat që kishin frikë mamatë,
ikën gratë që u ndruheshin burrave dhe burrat që nuk kishin frikë nga gratë.
Mbetën T-shirt-et uniseks.
Ikën edhe virgjëreshat bashkë me burrneshat.
Mbeti preshi.
Dhe kastraveci i rritur në furgone
me hormone.
Iku dhe Bulevardi i Korçës,
mbetën kërnackat korçare,
me kullën idiote.

Iku velenca prej leshi.
Iku edhe guna e grrisur mbi tela,

Mbetëm ne që tërë ditën në verë themi : uuuu sa vapë,
ne llotaxhinjtë, që në dimër ankohemi nga të ftohtit,
ne që ruajmë votat që kemi vjedhur,
ne hajdutët që bërtasim “Kapeni hajdutin!”
Mbetën edhe pulat që t’i vjedhim ne hajdutët e pulave.

Mbetëm ne që ikim nga sytë këmbët dhe bërtasim :
“Shqipëri të kam lënë pendët!”
Mbetëm ne të ikurit që nuk ikim dot!
Dhe nga që nuk ikim dot bërtasim :”Kam vendosur të jetoj këtu!:”
Mbetëm ne lexuesit e pornove prej të sëmurësh seksualë në gazeta.
Mbetëm ne rrenacakët që nuk e shohim hundët e pinokut te ata që na gënjejnë.

Mbetën edhe qentë e bashkive. Me vathë në vesh!
Dhe ne që na kafshojnë qentë!

Si edhe karvani që leh kur sheh se qentë shkojnë përpara!

Artan Fuga