Makinat me timon “anglez”, Shqipëria ndryshon sërish ligjin

465
0

Shqipëria mund të zhbëjë së shpejti ndryshimin ligjor të vitit 2014, i cili ndalon regjistrimin e makinave me timon në krahë të djathtë në vendin tonë.

Hyrë në fuqi më 2015, ky ndryshim ndalon importimin e këtyre automjeteve ose kërkon që të ndryshohet pozicioni i timonit.

Komisioni Europian ka shqyrtuar kërkesën e eurodeputetit britanik Daniel Dalton, i cili ngrinte pyetjen nëse ky vendim i autoriteteve shqiptare ishte në përputhje me rregullat dhe direktivat në fuqi, të cilave duhet t’u përmbahet edhe Shqipëria me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA).

Në përgjigjen e tij, KE shprehet se masa e marrë nga autoritetet shqiptare ka si precedent masat e ndërmarra edhe nga shtetet anëtare Polonia dhe Lituania, për të cilat Gjykata Europiane e Drejtësisë u shpreh se binin ndesh me direktivat 2007/46 dhe 70/311.

Direktiva e fundit, në nenin e dytë përcakton se asnjë shtet nuk mund të refuzojë aprovimin e një automjete në bazë të pajisjes së drejtimin (timonit).

Si masa të mëtejshme, KE do të kërkojë më tepër informacion nga autoritetet shqiptare dhe do ta analizojë situatën mbi bazën e përcaktimeve të MSA-së, raporton “scan”.

Kufizimi i vendosur nga Shqipëria si për makinat e reja, edhe për të përdorurat që kanë timonin në krahun e djathtë do të diskutohen në mbledhjen e ardhshme mes palëve. Kjo mund të sjellë detyrimin e palës shqiptare që të tërheqë ndryshimet e bëra në Kodin Rrugor.