Keni marrë gjobë për mosrespektimin e masave anti-COVID? Nis pagesa në faturën OSHEE

293
0

Në faturën e OSHEE për muajin shkurt qytetarët që janë gjobitur për mosrespektim të masave anti-COVID do të kenë të shtuar edhe shumën e gjobës.

Drejtuesit e OSHEE kanë bërë me dije se këtë muaj do të faturohen gjobat e vendosura që prej fundit të muajit tetor, ndërsa abonentëve që nuk e paguajnë do t’u ndërpritet energjia elektrike.

“Që në muajin janar një pjesë e gjobave kanë dalë në faturën respektive, dhe qytetarët kanë detyrimin për ta paguar. Në shkurt do filloj edhe pagesa, dhe në rastin që nuk paguhen gjobat, mund të cilësohen si debitorë dhe t’u ndërpritet energjia. Janë 55 mijë gjoba deri më tani, të tjera po vijnë”, tha për A2CNN Elton Sevrani, administrator i Furnizuesit të Shërbimit Universal, OSHEE.

Gjatë këtyre 4 muajve Policia e Shtetit ka vendosur 55.800 gjoba për qytetarët që nuk kanë respektuar masat anti-COVID.

Por pas verifikimeve nga OSHEE, 22 mijë qytetarë të gjobitur nuk janë abonentë të operatorit të energjisë, si dhe disa kanë pasaktësi të tjera në të dhënat që kanë plotësuar.