Juna Skenderi, 21 vite ne Amerike: Si është të jesh emigrant pa dokumenta dhe endrra e deshtuar amerikane

968
0

Juna Skënderi nuk ka dalë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës që prej 21 vitesh. Fjalë-shpejtë dhe gazmore, ajo mund të përshkruhet si një vajzë ‘alla amerikane’. Por, Skënderi, me origjinë nga Shqipëria, është një emigrante pa dokumente. “Ne e kemi tejkaluar vizën tonë për 18 vjet”, shpjegoi Skënderi sinqerisht.

Ajo është përfituese e Aksionit të Shtyrë për të Ardhur të Mitur, DACA, një program që presidenti Obama e krijoi me një urdhër ekzekutiv në vitin 2012 për t’i dhënë njerëzve pa dokumente që mbërritën në Shtetet e Bashkuara si fëmijë, një rrugë për tu arsimuar dhe për të punuar.

Presidenti Donald Trump, i cili kandidoi me një platformë ksenofobike, e ndërpreu programin muajin që shkoi dhe Skënderi, e cila ka jetuar shumicën e jetës së saj në SHBA, ndoshta do të duhet të largohet nga vendi të cilin e quan shtëpi.

“Mënyra se si u shfuqizua DACA do ta përshkruaja si një ndarje shumë të keqe”, më tha Skënderi në fillim të shtatorit, një javë pasi administrata e presidentit Trump kishte njoftuar se do të ndërpritej DACA dhe do të ndaloheshin aplikimet e reja.

Programi, i nënshkruar nga Obama pas një sërë dështimesh për të miratuar një projektligj të njohur si “Akti DREAM” në Kongres, u ofron leje pune dhe mbrojtje dyvjeçare të rinovueshme nga dëbimi disa emigrantëve pa dokumente që kishin mbërri në SHBA para moshës 16 vjeçare. Si pjesë e programit, këta imigrantë ishin dashur të regjistroheshin pranë qeverisë dhe të jepnin një adresë shtëpie, gjë që tani shqetëson shumë përfitues që kanë frikë se mund të gjinden lehtë dhe të depërtohen.

“Duke e anuluar programin në këtë mënyrë të pamëshirshme, ndoshta tërthorazi mund të jetë një gjë e mirë”, tha Skënderi, duke shtuar se tani që të gjithë janë “shumë të vetëdijshëm dhe shumë të ndjeshëm”, një zgjidhje mund të jetë e mundshme.

Pas kundërshtimit të menjëhershëm të vendimit, presidenti filloi të jepte deklarata kontradiktore: disa orë pasi administrata e tij e anuloi programin, ai deklaroi dashurinë e tij për të ashtuquajturit Ëndërrimtarë dhe i dha Kongresit një afat kohor për të ratifikuar një projekt-ligj deri në mars 2018.

Por pasi që Shtëpia e Bardhë publikoi kërkesa të rrepta për ndryshimin e ligjeve të imigracionit, duke përfshirë ndërtimin e një muri prej 10 miliardë dollarësh në kufi me Meksikën (një veprim që u quajt “sabotimi” nga Washington Post), të dielën që shkoi, një marrëveshje për të shpëtuar DACA-n duket e paarritshme.

“Duke e bërë këtë, presidenti Trump më detyroi mua dhe shumë fëmijë, sepse ndihem si një fëmijë kur flas për këtë, ai na detyroi të jetojmë në të tashmen”, më tha Skenderi derisa pinim çaj të gjelbër në qendër të qytetit në New York. “Ne nuk mund të bëjmë plane.”

Skënderi, një regjisore 30-vjeçare, e cila aktualisht po punon në një projekt dokumentar për atë se si është të jesh një emigrant pa dokumente dhe për “ëndrrën e dështuar amerikane” të familjes së saj, po pret me padurim që negociatat e Kongresit të përfundojnë.

Demokratët e Kongresit amerikan po përpiqen të shpëtojnë programin duke rënë dakord me kërkesat e Shtëpisë së Bardhë për politika më të rrepta të emigracionit, përderisa aktivistë të drejtave të imigrantëve vazhdojnë të protestojnë. Në vendlindjen e saj, udhëheqësja e pakicës në Kongres, Nancy Pelosi u përball me aktivistë, të cilët përmbytën skenën duke kërkuar “Të gjithë ose asnjëri!”

“Termi ‘Ëndërrimtar’ ka qenë në familjen time për një kohë shumë të gjatë”, tha Skënderi, e cila u shpërngul me prindërit dhe dy motrat e saj në New Jersey në vitin 1996 kur babai i saj mori një punë në një kompani amerikane. Jo shumë kohë pasi mbërritën, babai i Skënderit, një farmacist i specializuar në mjekësinë bimore, kuptoi se kompania po falimentonte. Pasi kjo ndodhi, ai humbi punën dhe nuk mundi ta ripërtërinte lejen e punës. Në prill të vitit 1999, familja kishte dy zgjedhje: të kthehej në Tiranë gjatë kulmit të luftës në Kosovë, ose të qëndronte në SHBA në mënyrë të paligjshme.

“Këtë e mora vesh vetëm kur fillova për tu bërë gati të aplikoja në kolegj”, shpjegoi Skënderi, e cila studioi film në Universitetin Shtetëror të Montclair, duke punuar derisa ishte në kolegj pasi nuk kishte të drejtë të merrte kredi (kur e pyeta për këtë, ajo hapi sytë dhe tha: “Kredi? Jo.” dhe qeshi me naivitetin tim). Historia e saj është shume e ngjashme me plot prej përfituesve të tjerë të DACA-s, disa prej të cilëve nuk e kuptojnë statusin e tyre derikur deri sa fillojnë të aplikojnë për leje shoferi ose për pranimin në kolegj.

“Ndjehem sikur jam duke qëndruar pezull në ajër. Jam në gjendje të flas për këtë tani, vetëm sepse kam qenë duke punuar në film”, tha ajo. “Më duket se një vit më parë, do të isha vetëm duke qarë”.

Ka rreth 11 milionë emigrantë pa dokumente në SHBA, rreth 800,000 prej të cilëve janë përfitues të DACA-s. Pjesa më e madhe, 78 për qind, janë nga Meksika, ndërsa emigrantët nga Guatemala dhe Koreja janë përkatësisht pesë dhe tre për qind.

Në krahasim, numri i përfituesve të DACA-s nga Ballkani është i parëndësishëm: 250 nga Shqipëria; 70 nga Maqedonia; 50 nga Mali i Zi; 30 nga Serbia; 20 nga Kosova dhe Kroacia; dhe asnjë rast i regjistruara nga Bosnja dhe Hercegovina apo Sllovenia.

Ndërsa Skënderi ndan pasigurinë dhe drojën e bashkë-përfituesve nga mbarë bota, si bionde e imët, ajo gjithashtu e thekson se ajo përfiton nga privilegji i të qenit e bardhë.

“Problemi i ‘Ëndërrimtarëve’ dhe DACA është më shumë një çështje më e thellë racore. Është vetëm një degë e vogël e pemës gjigante që është çështja e racës në këtë vend”, shpjegoi Skënderi, duke theksuar vazhdimisht se sa jashtëzakonisht e privilegjuar ishte ajo. Kur shkon në tubime, Skënderi më tha, njerëzit shpesh e gabojnë atë për një aleat.

“Kurdoherë që shkoj në marshime, bërtasim në spanjisht … Të vetmet fjalë që i di në spanjisht kanë të bëjnë me rezistencë!” tha ajo duke buzëqeshur.

Duke parë fotot e fëmijërisë dhe adoleshencës së Junës, prekesh nga ndjeshmëria e saj: fotot me dy motrat dhe kushërinjtë e saj në Tiranë, ose, ajo e u ulur me krenari me lodrat e saj të reja për ditëlindjen e saj të dhjetë; ose (e preferuara ime), e ulur engjëllisht në bar me uniformën e saj të nxitëses së tifozëve. Në të njëjtën kohë, prekesh edhe nga konvencionaliteti i tyre. Albumi i saj me fotografi të ngjitura mund ti takonte secilës para-adoleshente tjetër amerikane.

Më konvencionalja është reagimi i saj, të cilin ma shpjegonte derisa dy rreze të dritës shponin qiellin e New Yorkut në memoriam, ndaj sulmit të 11 shtatorit: ajo kishte ngjitur një foto të Kullave Binjake duke u djegur dhe një afishe ‘Zoti e Bekoftë Amerikën’ në ditarin e saj. “Unë kurrë nuk jam ndier më shumë amerikane në jetën time … se, unë jam në këtë anë”, tha ajo me seriozitet.

Përndryshe, albumi i saj me fotografi të ngjitura dokumenton një fëmijëri të lumtur. Skënderi dhe dy motrat e saj e mësuan anglishten për një vit dhe “u integruan shpejt në shoqërinë amerikane, deri në atë pikë sa nuk mendoj se kisha një kohë për të vënë në dyshim gjërat deri më vonë kur isha në shkollë të mesme.”

Skënderi vetë ishte e popullarizuar që nga fillimi. Në ditën e parë të shkollës ajo fitoi një garë, duke mposhtur një vajzë të fortë dhe u bë shpejtë shoqe me vajzat e popullarizuara “Duke u bërë e popullarizuar … unë u pranova menjëherë”.

Vetëm më vonë, në shkollën e mesme, ajo e kuptoi se për dallim nga shumë prej miqëve të saj ajo nuk kishte shumë privilegje, por ishte “pranuar menjëherë” për shkak se ishte e bardhë. Në shkollën e mesme ajo gjithashtu e kuptoi se ajo nuk mund t’u thoshte bashkëmoshatarëve emigrantë me ngjyrë se “ajo ishte njëra prej tyre”. Ajo e kujton këtë me faj, duke e kuptuar se një prej arsyeve që s’e kishte bërë këtë si adoleshente ishte sepse do të kishte rrezikuar statusin e saj si një vajzë e bardhë, e popullarizuar.

Puna e parë e Skënderit ishte në bibliotekën e qytetit në Rutherford, kur ajo ishte 16 vjeçe. “Për shkak se isha 16 vjeç, ata nuk kërkuan autorizim … gjithçka që kisha ishte një letër nga shkolla që thoshte “po, ke leje të punosh”, tha ajo, duke shtuar se kjo ishte “puna me të cilën e pagoi kolegjin, njëra prej shumë punëve të tjera”.

Pasi që kursimet e prindërve të saj mbaruan, babai i saj i cili, e theksoi Skënderi, ka një doktoraturë, kishte bërë dërgesa të picave dhe punuar në një pompë benzine, ndërsa nëna e saj kishte punuar si dado (“Shumë përkujdes ndaj fëmijëve si dado në krejt familjen tonë”). Juna dhe motra e saj më e madhe gjithashtu kishin ndihmuar me qera më vonë.

Skënderi, e cila gjithmonë e kishte ditur se donte të ishte një artiste, mësoi se si të xhironte video në shkollë të mesme dhe vendosi të studionte filmin në Montclair.

“Sinqerisht, ishte opsioni im i vetëm, sepse ishte një kolegj publik dhe unë mund të llogarisja si një student brenda shtetit [të New Jersey-t]”, tha ajo, duke shpjeguar se ishte nëna e saj që kishte bërë gjithë këtë hulumtim rreth vendit ku mund të vazhdonte shkollimin e lartë. Në këtë kohë Skenderi kishte mësuar për statusin e saj si e pa-dokumentuar.

“Unë s’e besoj që e kam ditë fort mirë këtë gjë. Thjesht mendoja se ne ishim duke punuar në drejtim të marrjes së Kartelave Jeshile, por për ndonjë arsye ishte disi më sfiduese për ne”. Pajisur me një Numër të Sigurimit Shoqëror, SSN, të cilën prindërit e saj e kishin marrë kur kishin akoma leje ligjore, Skënderi ishte në gjendje të punonte punë të ndryshme në restorante apo nëpër kaseta filmash dhe të paguante taksat.

“S’kam gënjyer kurrë për statusin tim. Krejt çka thoja ishte: ‘Gjithçka që kam është këtë SSN; kam punuar në bibliotekën time dhe kam paguar taksat’, tha ajo, duke shtuar me modesti se pasi ajo ishte e zonja në punën e saj dhe sharmante, zakonisht i ecte.

“Ishte ironike, sepse për shkak të anglishtes sime të përsosur dhe lëkurës sime të bardhë, unë pranohesha në punë, derisa në bodrum dhe në kuzhinë kishte tyrlifarë njerëz pa dokumente që punonin, të cilët duhej t’i falsifikonin dokumentet dhe po i bënin gjithë këto gjëra. Unë kurrë s’e kam bërë, por thjesht kam qenë në gjendje të them ‘Kjo është e gjitha që kam’ dhe kjo mjaftonte”, tha ajo.

Kur u prezantua DACA në vitin 2012, Skënderi ishte ndjerë lehtësuar: tani ajo mund të gjente diçka më shumë se një punë të përkohshme në restorant. Duke qenë pjesë e botës së artit, ja kujtonte asaj edhe se sa po humbiste. Miqtë e saj kanë filluar të kursejnë dhe të udhëtojnë, ose të blejnë shtëpi, gjëra që ajo dëshiron t’i bëjë por që nuk mundet.

Në fillim të zgjedhjeve presidenciale, Juna ishte e tmerruar. Trump kishte premtuar të hiqte qafe DACA-n në ditën e parë të presidencës së tij. Ajo u bë më e tërhequr dhe filloi të kishte mendime të errëta. Si një formë e përballimit me këtë, ajo filloi të qëndiste, një artizanat të cilën nëna e saj ia kishte mësuar dhe që ajo e sheh si një mënyrë për t’u lidhur me rrënjët e saj shqiptare. Mund të jetë momenti i fundit për Skënderin, e cila mezi flet ndonjë fjalë shqip, për të filluar që të ushtrojë këtë më tepër.

“Tani për tani ndjej zemërim që ka ardhur puna në këtë pikë për kaq shumë njerëz … që të mund të ndodhë që motra ime dhe unë duhet ta bëjmë atë zgjedhje: t’i paketojmë valixhet tona dhe të ikim”, psherëtiu ajo. “Familja ime ende ka një apartament të vogël në Shqipëri, unë kam familje në Shqipëri që do të kujdeset për mua. Unë nuk e kam edhe aq keq”, tha ajo, duke u përpjekur për të gjetur një fije shpresë.