Ja sa vite kursime i duhen një shqiptari për të blerë një makinë

1100
1

Një shqiptari do t`i duheshin kursimet e disa viteve për të blerë një makinë –

Një shqiptar mesatar ka një pagë prej 347 euro në muaj, ndërkohë që sipas Bankës Botërore kursen mesatarisht 27% të të ardhurave. Kjo do të thotë se, një shqiptar mesatar kursen në një vit 1128 euro.

Sa vite do t`i duheshin një shqiptari për të blerë një makinë të re, në rast se do të investonte të gjithë kursimet e tij?

Sipas përlllogaritjeve të “SCAN”, përgjigja është 24.8 vite. Çerek shekulli për një makinë!

Në Bashkimin Europian çmimi mesatar për një makinë të re, sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, fiksohet në 27987 euro. Pra, një shqiptari mesatar do t`i duheshin kursimet e një çerek shekulli për të mund të blerë një makinë të re, me një vlerë mesatare, pra jo një makinë luksoze.

Gjithsesi, duke qenë se te makinat, luksi është subjektiv, për të qenë më korrekt, bazuar te të dhënat zyrtare të çmimeve të makinave të reja në Bashkimin Europian, përllogaritjen po e bëjmë me marka të ndryshme.

Për të blerë një makinë tip Fiat do të duheshin 9 vite më pak, pra 15.7 vite kursime. Për një makinë tip Dacia, do të zbriste në 11.5 vite, për një Renault 18.8 vite, ndërkohë që nga krahu tjetër do të duheshin kursimet e 41 viteve për të blerë një makinë mesatare tip BMW dhe 36 vite për një makinë tip Mercedes Benz.

Pra, thënë ndryshe, një shqiptar që fillon të kursejë në moshën 18-vjeçare, në rastin më të mirë, do të ishte në gjendje të blinte një makinë të re, kur të mbushë 43 vjeç, në rast se do të rrinte duke pritur kursimet.

Përllogaritjet janë bërë duke mos marrë parasysh burimet alternative të të ardhurave, si; remitancat, trashëgimia, etj.

Roel Korkuti/SCAN