Fluturon cmimi i vajit në Shqipëri, keto jane çmimet e reja për produktet e shportës

198
0

Bordi i Transparencës ka njoftuar çmimet e reja tavan për produktet e shportës. Nga sot 30 prill çmimi i vajit, miellit, sheqerit dhe orizit nuk duhet tu shitet konsumatorëve në markete me çmime jo më të larta se:

109 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg)
121 lekë/kg për sheqerin (1 kg)
381 lekë/litër për vajin e lulediellit
79 lekë/kg për miellin masiv

Nga vendimi vihet re një shtrenjtim i çmimit të vajit nga 321 lekë/litër ka shkuar në 381 lekë/litër, duke u rritur kështu me 60 lekë.

Orizi, do të shitet 109 lekë për kg ( kokërrgjati) ndërsa më herët ishte 104 lekë për kg.

Ndërsa sa i përket uljeve, ato janë reflektuar te sheqeri  dhe mielli.  Sheqeri ishte 123 lekë për kg, nga sot  bëhet  121 lekë,  çmimi i miellit, është ulur, nga 90.5 leke/kg  në 79  lekë/kg.

Vendimi i Bordit të Transparencës së produkteve të shportës datë 29.4.2022

Bordi i Transaparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me shumicë/pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, i ngritur në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, në mbledhjen e datës 29 Prill, vendosi miratimin e listës së produkteve ushqimore bazë që do të monitorohen, si më poshtë:

Miell
Vaj luledielli
Sheqer
Oriz kokërrgjatë

Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë këto produkte.
Gjithashtu Bordi i Transparencës vendosi miratimin e marzheve që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e cmimeve ndërkombëtare.

Për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg i paketuar) miratohen marzhet si më poshtë:

a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të orizit kokërrgjatë, i cili paketohet në vend nga distributori, është 11.7 % mbi koston e zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 11 lekë/kg.

b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të orizit kokërrgjatë të paketuar në vend nga distributori, është 3.8 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:

a) Marzhi i tregtimit të sheqerit nga importuesi (i papaketuar), është 3.8 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

b) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të sheqerit, i cili realizon ambalazhimin e produktit të paketuar në vend, është 7.3 % mbi çmimin e blerjes së produktit të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 12 lekë/kg.

c) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të sheqerit, është 3.4 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “b” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Për artikullin vaj luledielli miratohen marzhet si më poshtë:

a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të vajit të lulediellit të paketuar në vend nga distributori, është 10.3 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 35 lekë/litër.

b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të vajit të lulediellit, është 1.6 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 6 lekë/litër.

Për miellin masiv miratohen marzhet si më poshtë:

a) Marzhi i tregtimit për produktin mielli masiv për prodhimin e bukës, i tregtuar nga përpunuesi i grurit, është 33.9 % mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit grurë, përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 19 lekë/kg.

b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të produktit miell masiv i ambalazhuar, është 5.3 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Pas analizimit të këtyre marzheve Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet ti ofrohen konsumatorit familjar

Ky vendim hyn në fuqi në datë 30.04.2022 dhe është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet e përcaktuara në këtë vendim.