Ekstradimi i Izet Haxhiajt, ja si e pasqyron Zëri i Amerikës

466
0

Mbrëmjen e së martës, Izet Haxhija, ish truproja në vitet ’90 i zotit Sali Berisha, u ekstradua nga Turqia, ku ai jetonte prej shumë vitesh. Haxhija është një ndër të akuzuarit kryesorë për vrasjen në në vitin 1998 të deputett demokrat Azem Hajdari, pranë selisë së Partisë Demokratike në Tiranë. Në vitin 2002 Gjykatat shqiptare e dënuan Haxhinë me 25 vjet burg për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim”, “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”.

Haxhija nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën. Ai u arrestua në vitin 2006 nga autoritetet turke, por megjithë kërkesat e përsëritura për ekstradimin e tij, ai nuk u transferua asnjëherë në Shqipëri, por qëndroi në Turqi me detyrimin për të mos dalë jashtë saj. Vetëm në shkurt të këtij viti Drejtësia turke vendosi ekstradimin, ndërsa Haxhia, njoftoi pak ditë më parë përmes një postimi në Facebook se ishte vetdorëzuar pranë autoriteteve turke.

Nga aeroporti “Nënë Tereza”, ai u shoqërua nën masa të rrepta sigurie në Burgun 302 në Tiranë. Haxhia, i cili vitet e e fundit ka qenë mjaft aktiv duke dhënë prononcime të shumta publike dhe intervista, është shprehur se do të kërkoj të rihapen hetimet për vrasjen e Azem Hajdarit, gjë të cilën e rikonfirmoi edhe avokati i tij. “Gjyqi dhe vendimi ndaj tij janë bërë në mungesë. Haxhia nuk ka patur mundësi të shprehet dhe t japë qëndrimin e tij. Do të kërkojmë rihapjen e dosjes”, është shprehur për mediat avokati Fran Dashi.

Në mënyrë të përsëritur Haxhia ka bërë përgjegjës të drejtpërdrejtë për vrasjen e deputetit Hajdari, kryetarin e atëhershëm të Partisë Demokratike Sali Berisha.Ky i fundit, gjatë emisionit “360 Gradë” në Ora News, duke komentuar mbrëmë ekstradimin e ish truprojës së tij, u shpreh se i është “një kriminel më shumë në krah të Edi Ramës. Ai është një kriminel i dënuar në Shqipëri me 25 vite burg, i dënuar në Greqi përjetë sipas mediave dhe vjen në krah të Edi Ramës”./VOA