Çështja e ish-ministrit Tahiri, ndodh e papritura me gjyqtaren

68
0

Një ditë para mbajtjes së seancës gjyqësore ndaj ish-ministrit Saimit Tahiri, një nga gjyqtaret e trupit gjykuese është tërhequr. Mësohet se gjyqtarja Daniela Shirka është tërhequr në mënyrë të papritur dhe do të zëvendësohet nga gjyqtari Florjan Kalaja, gjyqtar i komanduar në Gjykatën e Apelit Durrës, i cili ka kaluar vetingun në fund të vitit 2020.

Kujtojmë se seanca për Tahirin në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është parashikuar të mbahet ditën e nesërme, më 5 Janar, në orën 10:00. Pjesë e trupit gjykues për ish-ministrin e Brendshëm janë Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi.

Tashmë çështja e Tahirit do të rigjykohet, ku do të merret edhe vendimi përfundimtar. Dënimi i fundit që mori Tahiri ishte me 5 vite burg i konvertuar në 3.4 vite shërbim prove.