Brenda banesës së Aurel Hoxhallarit, dyshime se janë torturuar disa persona

693
0

Banesa e Aurel Hoxhallarit, personi i akuzuar nga policia se ka organizuar dhe porositur vrasjen e Devi Kasmit, vijon të qëndrojë e rrethuar si skenë krimi nga uniformat blu.

Brendë vilës luksoze, e cila ndodhet në Kodër Mëzez u gjet arsenal i vertetë armësh, si snajpera, automatikë, pistoleta, mina me telekomante e deri te raketahedhës.

Këto armë theksojnë burime nga policia e kryeqyteti, dyshohen se mund të jenë përdorur edhe në disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në vend gjatë dy viteve të fundit.

Grupi hetimor ka dërguar për këqyrje balistike pranë laboratorit të Policisë Shkencore për të ekzaminuar nëse ato armë përputhen me krimet krimet e pazbardhura të ndodhura në Tiranë, Vlorë, Durrës apo edhe në Shkodër.

Gjithashtu, pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë, të cilat ishin vendosur në të gjithë perimetrin e vilës një katëshe, ekspertët kanë mbledhur të gjithë shenjat e gishtërinjve të personave që kanë qëndruar në banesë.

Dyshimet janë se në ambientet e brendshme të saj, banda kriminale e drejtuar nga Aurel Hoxhallari, i cili ndodhet në arrati, kanë torturuar e shantazhuar disa persona me qëllimin e vetëm për të përvetësuar para.

Këta shtetas nuk kanë bërë kallëzim në polici nga frika e ndonjë hakmarrje të mundshme të bandës kriminale, e cili kishte si pjestarë edhe personat arrestuar si Elton Halipaj, Malvin Dinellari dhe Elton Hoxhallari.

Ndërkohë prokuroria ka zbardhur edhe procesverbalin e vrasësit me pagesë të ardhur nga Greqia, Efthymiou Efthymious. Ai ekzekutoi në mënyrë mafioze mbrëmjen e 29 Janarit, Devi Kasmin poshtë shtëpisë së këtij të fundit në lagjen “Kongresi i Manastirit”.

Nga dokumenti shihet se 41-vjeçarit grek i janë sekuestruar një shumë parash, prej rreth 2 mijë euro, pasaportë greke me emrin e tij, patentë greke, celular, kartë debiti, etj./abcnews.al