Bashkim familjar në Itali, Projekti Europian forma 2

274
0

Komuniteti shqiptar në Itali është ndër më të shumtit e më të integruarat në vendin fqinj. Shumë pjestarë të tij, tashmë të vendosur prej dhjetëra vitesh në zonat më prodhimtare të vendit, përbëjnë një faktor të mirëfilltë e të pamohueshëm ekonomik e shoqëror. Me synimin për të lehtësuar e dendësuar lidhjet ndërmjet dy brigjeve të Adriatikut, patronati INCA CGIL Albania ka zgjeruar gamën e shërbimeve që u ofron shtetasve shqiptarë që janë zhvendosur apo dëshirojnë të zhvendosen në Itali.

Nisma më e re dhe e rëndësishme në këtë drejtim, projekti FORM@2, është një bashkëpunim i Bashkimit Europianme Ministrinë e Punës dhe Politikave Shoqërore të Italisë, i cili u drejtohet posaçërisht shqiptarëve të cilët duan të ushtrojnë të drejtën e bashkimit familjar për t’u bërë pjesë e një shoqërie dinamike e të zhvilluar, siç është ajo italiane.

Duke patur parasysh ndryshimet e mëdha shoqërore, ekonomike e demografike të viteve të fundit në rajon, të cilat kanë shpënë në shtrëngimin e kushteve të hyrjes afatgjatë në Itali, ka marrë rëndësi të madhe njohja dhe përshtatja me vendin fqinj e kulturën e tij. Përtej plotësimit të kritereve të përhershme të dokumenteve të rregullta, është shtuar vëmendja që i kushtohet njohjes e përshtatjes me Italinë e kulturën e saj, si dhe pesha që mbartin këto në vlerësimin e aplikimeve që paraqiten.

Në këtë suazë, projekti FORM@2 i lejon patronatit INCA CGIL Albania, së bashku me patronatin ACLI Albania dhe INAS Albania, të ofrojnë seanca informimi e këshillimi për të gjithë shqiptarët që duan të fillojnë procesin e zhvendosjes në Itali përmes bashkimit familjar. Njohja e plotë e kërkesave dhe hapave që duhen ndjekur mundëson lehtësimin e procedurës dhe shkurtimin e kohës që duhet pritur deri në përfundim të saj.

Për t’u ardhur në ndihmë personave që mund të kenë vështirësi me përshtatjen me vendin fqinj, projekti ofron dhe një kurs formimi prej dhjetë (10) orësh, të përqëndruar në njohjen e gjuhës dhe të kulturës italiane. Ky shërbim krejt i ri, i cili ka mbështetjen e institucioneve italiane e europiane, përbën një urë të re e themeltare për afrimin më tej e dy vendeve e dy shoqërive.

Prania e degës së INCA CGIL Albania në Tiranë, me të gjithë ekspertizën e mjetet monetare të patronatit që disponon, është e rëndësisë së parë në drejtim të zhvendosjes së shqiptarëve matanë Adriatikut përmes bashkimit familjar dhe shenjë e pa ngatërrueshme e mundësive për integrim që ofron Italia. Abele Bejko/abc/