Zjarri në New York, shkaku një trevjeçar

Zjarri në New York, shkaku një trevjeçar

Hetuesit kanë dalë në përfundimin se një tre vjeçar i cili po luante me prushin e një sobe, shkaktoi zjarrin që përfshiu të enjten në mbrëmje një ndërtesë banimi në lagjen Bronks të Nju Jorkut.

Si pasojë të paktën dymbëdhjetë vetë humbën jetën, ndërsa katër të tjerë po luftojnë për jetën.

Ky është zjarri më vdekjeprurës në një ndërtesë banimi të Nju Jorkut në disa dekada.

Zjarri shpërtheu në një ndërtesë pesëkatëshe, pranë parkut zoologjik të Bronksit.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio tha se mes viktimave është edhe një foshnjë rreth njëvjeçare.

“Disa familje në Bronks janë dëmtuar rëndë nga zjarri. Kjo është një nga tragjeditë më të rënda të shkaktuara nga zjarri që ne kemi pare në qytet (Nju Jork) në të paktën 25 vjet, bazuar në informacionet që kemi tani. Mund të humbim edhe njerëz të tjerë”, tha ai kryebashkiaku de Blasio.

Zjarri ra në zonën Belmont të Bronksit ku banojnë shumë familje shqiptare. Udhëheqës të komunitetit i thanë Zërit të Amerikës se nuk duket që mes viktimave të ketë shqiptarë.

Zjarri filloi në katin e parë dhe shpejt përfshiu pjesën më të madhe te ndërtesës prej tullash, thanë autoritetet.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, i tha Zërit të Amerikës se katër persona të lënduar rëndë po luftojnë për jetën dhe se ngjarja e së enjtes mbrëma e ka prekur thellë të gjithë komunitetin.

“Ne po përpiqemi të ndihmojmë me sa mundemi,” tha zoti Gjonaj.

Komisioneri i Zjarrfikësve, Daniel Nigro, e cilësoi zjarrin “historik në fuqinë e tij” për sa i përket numrit të viktimave.

Rreth 170 zjarrfikës u angazhuan në të ftohtin e madh për të shpëtuar njerëzit e bllokuar në ndërtesë. Uji që përdornin zjarrfikësit ngrinte në rrugë.

Ndërtesa kishte më tepër se 20 apartamente dhe ishte tepër e vjetër për të patur sisteme moderne të mbrojtjes nga zjarri si spërkatës automatikë uji.

Dëshmitarët thanë se kishin parë zjarrfikësit të nxirrnin jashtë ndërtesës me barela trupa të djegur si dhe vajza të reja që kishin shpëtuar por që qëndronin jashtë në të ftohtit e madh pa këpucë dhe pa veshje dimri.

Një nga zjarret më vdekjeprurës në Bronks ndodhi në vitin 2007. Nëntë fëmijë dhe një i rritur humbën jetën nga zjarri që u shkaktua nga një ngrohës elektrik.

Comments

comments

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: