Skandali në Sanremo/ Ermal Meta rrezikon skualifikimin nga festivali: Ja çfarë është zbuluar

666
0

Suksesi i një viti më parë në Sanremo, bëri që këtë vit, pritshmëritë për këngëtarin shqiptar Ermal Meta të ishin mjaft të mëdha, e madje ka pasur edhe aludime të shumta se Meta mund të ishte fituesi i Sanremo 2018.

Mirëpo duket se për artistin e njohur, më shumë se sukses këtë vit do të ketë probleme, pasi fill pas natës së parë të festivalit, ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë akuzuar për plagjiaturë.

Sipas mediave italiane, kënga e kënduar nga Meta dhe Fabrizio Moro, “Non mi avete fatto niente”,  është e kopjuar nga kënga “Silenzio” e kënduar nga Ambra Calvani dhe Gabriele De Pascali dhe e prezantuar për Sanremo-n e të rinjve në 2016-ën (por e pakënduar para publikut të festivalit).

Të dy këngët janë thuajse identike në muzikë e madje në tekst dhe kjo ka një arsye. Mësohet se autor i këngës, përveç Metës dhe Moro-s, është edhe Andrea Febo, i njëjti autor i këngës me titull “Silenzio”.

Por ndonëse prania e të nëjtit autor mund të shpëtojë dy artistët nga akuza e plagjiaturës, është shpërndarja e këngës “Silenzio” që mund t’u sjellë atyre probleme, pasi në rregulloren e festivalit përcaktohet qartazi se këngët duhet të jenë të reja dhe të pakënduara para një publiku. Në rast se ky nuk është rasti i këngës “Silenzio”, Meta dhe Moro skualifikohet automatikisht nga gara.