Si të aplikoni për bashkim familjar në Amerikë

686
0

Voltiza Duro – Qendra Kombëtare e Vizave në Shtetet e Bashkuara përcakton se për intervistat e vizave imigruese e për disa kategori vizash aplikantët duhet të presin me vite.

Kjo është bërë me dije ditën e djeshme në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të ambasadës amerikane. “Për disa kategori vizash (fëmijët e martuar dhe vëllezërit e motrat) aplikantët duhet të presin me vite përpara se çështjes së tyre t’i vijë radha për intervistë”,-citon ambasada.

Peticionet në pritje, veçanërisht kategoritë numerikisht të kufizuara, mund të qëndrojnë në Qendrën Kombëtare të Vizave (NVC) për shumë vite. Ambasada bën me dije se ekzistojnë kufizime ligjore për numrin e vizave të kategorive me preferencë, bazuar në familje që mund të lëshohen çdo vit. Në këto kategori, listat e pritjes përcaktohen duke u bazuar në datën prioritare, e cila është data kur është dorëzuar peticioni i aplikantit.

Kurse datat Cutoff, të vendosura nga zyra e vizave, përcaktojnë se kur peticionit të kandidatit i vjen radha e shqyrtimit për vizë. Peticioni i të interesuarve mund të bëhet aktual, pra gati për procesim të mëtejshëm, vetëm kur data Cutoff në kategorinë e vizës të ketë përparuar në datën prioritare. “As ambasada, as Qendra Kombëtare e Vizave nuk mund të parashikojnë se kur do të mund të bëhet aktuaj rasti juaj.

Ju duhet të monitoroni lëvizjen e datës Cutoff në publikimet e zyrës së vizave për të mësuar se kur rasti juaj do të jetë aktual”, – thekson më tej ambasada amerikane në Tiranë.

Kategoritë e vizave
Dy kategoritë e grupeve të vizave që përfitohen nga familja, të afërmit e menjëhershëm dhe preferencat familjare, janë dhënë sipas dispozitave të ligjit të imigracionit të Shteteve të Bashkuara. Vizat imigruese bazuar në familjarë të drejtpërdrejt (të palimituarit) bazohen në një lidhje të ngushtë familjare me një qytetar amerikan, që përcaktohen si i afërm i drejtpërdrejtë. Llojet e vizave bazuar në të afërm të menjëhershëm përfshijnë vizën IR-1 pra bashkëshort/e e qytetarit amerikan; IR-2 që nënkupton fëmijët nën moshën 21 vjeç të qytetarit amerikan; IR-3 për jetimët e birësuar jashtë SHBA nga një qytetar amerikan.

Ndërsa lloji i vizës IR-4 përfshin jetimin që do të birësohet në SHBA nga një qytetar amerikan; e viza IR-5 është për prindin e një qytetari amerikan, ky i fundit të paktën 21 vjeç. Vizat imigruese bazuar në preferencën familjare (të limituarit) janë për lidhjet familjare më specifike, më të largëta, me një qytetar amerikan dhe disa lidhje të përcaktuara me banorin e përhershëm të ligjshëm.

Për imigrantët me preferencë familjare ekzistojnë kufizime numerike për çdo vit fiskal.

Kategoritë e vizave imigruese bazuar në preferencën familjare janë: preferenca e parë familjare (F1) që përfshijnë djemtë dhe vajzat e pamartuara të qytetarëve amerikanë dhe fëmijët e tyre, në qoftë se kanë; ndërsa preferenca e dytë familjare (F2) është për bashkëshortët/et, fëmijët minorenë, dhe djemtë dhe vajzat e pamartuar (mbi 21 vjeç) të banorëve të përhershëm të ligjshëm. Ndërkaq, preferenca e tretë familjare (F3) nënkupton djemtë dhe vajzat e martuar të qytetarëve amerikanë, si dhe bashkëshortët/et dhe fëmijët e tyre; në një kohë që preferenca e katërt familjare (F4) përfshin vëllezërit dhe motrat e qytetarëve amerikanë dhe bashkëshortët/et dhe fëmijët e tyre. Në faqen zyrtare të ambasadës theksohet se gjyshërit, tezet dhe hallat, dajat dhe xhaxhallarët, vjehrri dhe vjehrra, si dhe kushërinjtë nuk mund të bëjnë bashkim familjar.

Procedura
Të gjithë të interesuarit duhet të ndjekin hapat e përcaktuar për të aplikuar për një vizë imigrimi për një të afërm të menjëhershëm ose preference familjare. Marrëdhëniet familjare dhe llojet e veçanta të punësimit që mund të sponsorizohen për qëllime të imigracionit bazohen në ligjet e emigracionit të SHBA, të cilat përcaktojnë si kategoritë e lejuara të vizave të emigrantëve, kërkesat për përshtatshmërinë dhe procedurat.

Ndërsa shumë marrëdhënie familjare mund të sponsorizohen, disa marrëdhënie familjare nuk mund të sponsorizohen për të emigruar në Shtetet e Bashkuara.

Për të emigruar në bazë të punësimit, si punëdhënësi dhe punonjësi i ardhshëm duhet të plotësojnë disa kushte. Kërkesa e paraqitur nga sponsori amerikan duhet të aprovohet nga USCIS para se aplikanti të fillojë hapat në procesin e aplikimit për vizë emigrimi. Për të aplikuar për një vizë emigrimi, një shtetas i huaj duhet të sponsorizohet nga një i afërm i shtetasve të SHBA, rezident i përhershëm i ligjshëm i SHBA-së ose nga një punëdhënës i ardhshëm dhe të përfitojë një peticion të miratuar. Një hap i parë në proces është sponsori që paraqet një peticion me US Citizenship and Immigration Services (USCIS).

 

Llojet e vizave

Bazuar në të afërm të menjëhershëm:
IR-1: Bashkëshort/e e qytetarit amerikan;
IR-2: Fëmijë nën moshën 21 vjeç i qytetarit amerikan;
IR-3: Jetim i birësuar jashtë SHBA nga një qytetar amerikan;
IR-4: Jetim që do të birësohet në SHBA nga një qytetar amerikan;
IR-5: Prind i një qytetari amerikan, i cili është të paktën 21 vjeç.
Bazuar në preferencën familjare:
– Preferenca e parë familjare (F1): djemtë dhe vajzat e pamartuar të qytetarëve amerikanë dhe fëmijët e tyre, në qoftë se kanë;
– Preferenca e dytë familjare (F2): bashkëshortët/et, fëmijët minorenë, dhe djemtë dhe vajzat e pamartuar (mbi 21 vjeç) të banorëve të përhershëm të ligjshëm. Të paktën 27 përqind e të gjithë vizave të kësaj kategorie janë për bashkëshortët/et dhe fëmijët; pjesa e mbetur u kalohet djemve dhe vajzave të pamartuar;
– Preferenca e tretë familjare (F3): djemtë dhe vajzat e martuar të qytetarëve amerikanë, si dhe bashkëshortët/et dhe fëmijët e tyre;
– Preferenca e katërt familjare (F4): vëllezërit dhe motrat e qytetarëve amerikanë dhe bashkëshortët/et dhe fëmijët e tyre, kur qytetarët amerikanë janë të paktën 21 vjeç.

/gsh/