Si fqinjët tanë 20-vjeçarë po bëjnë miliona euro duke mashtruar SHBA-të

731
0

Veleshi është një qytet i vogël në Maqedoni me popullsi 84% maqedonase dhe 4% shqiptare. Dikur, kjo qytezë ishte e njohur se furnizonte me porcelan gjithë Ish- Jugosllavinë. Sot është e famshme për ‘industrinë e lajmeve të rreme’. Një reportazh i fundit nga një grup gazetarësh të prestigjiozes CNN, e kanë quajtur si “ kryeqytetin ndërkombëtar të lajmeve të pavërteta”.

Ky qytet, i cili ka rreth 1800 banorë shqiptarë, është gjithashtu shtëpia e dhjetëra operatorëve, të cilët merren me trillime lajmesh të pavërteta, me qëllimin e vetëm për të tërhequr vëmendjen e Amerikës. Çdo klikim shton paratë në llogaritë e tyre bankare.

(Kujtojmë se gjatë javës së fundit të zgjedhjeve presidenciale, u gjendën rreth 100 site të tilla, që prodhonin lajme të pavërteta të cilat favorizonin Donald Trump-in.)

Një nga pionerët e kësaj industrie të fshehtë dhe kaq alarmante për momentin, është një 24-vjeçar ish- student i drejtësisë. Mund t’i dallohej një lloj shqetësimi në fytyrë kur gazetarët e “CNN” shkruan ta takonin, nga frika se në çdo moment llogaritë e tij online mund të mbyllen dhe për këtë, do që njerëzit ta njohin thjesht si Mikhail.

Me këtë emër njihet gjatë ditës. Në mbrëmje, ai është krejt tjetër njeri. Përmes një adrese fallco Facebook-u, të quajtur ‘Jesica’, ai shndërrohet në amerikanin që poston statuse dhe meme pro presidentit Trump.

Të gjitha publikimet e tij janë politike por më kryesorja është se janë gënjeshtra. Por kjo për 24-vjeçarin nuk është një problem.

“S’më intereson, sepse njerëzit më lexojnë.- tha ai. Në moshën 22-vjeçare kam fituar para më shumë se çdo kush (në Maqedoni) do të mësojë në gjithë jetën e tij.”

Ai tregoi për gazetaren e CNN-it, se fiton çdo ditë rreth 2500 dollarë përmes reklamave në faqen e tij, ndërkohë që shuma mesatare mujore që fitohet në Maqedoni është 426 dollarë.

Mikhali pohon se përmes lajmeve (të cilat nuk bazohen në asnjë lloj fakti apo argumenti real), ka fituar aq shumë sa ka arritur që në fare pak kohë, të blejë një shtëpi dhe të sigurojë studimet e motrës së vogël. Për të, ky ka qenë një profesion i vërtetë dhe madje dikur ka patur rreth 15 punonjës, përfshi dhe 2 shkrues amerikanë lajmesh. Portali i tij i fundit kishte rreth 1.5 milion ndjekës në Facebook dhe shumica e tyre ishin nga SHBA-të.

Para pak muajsh, të tilla portale u mbyllën, pasi kompania e Facebook-ut mori masa ekstreme për të mos lejuar më qarkullimin e lajmeve të rreme. Për momentin, Mikhal po mendon për një tjetër sistem operacionesh dhe është totalisht i fokusuar në përgatitjet e lajmeve për zgjedhjet e 2020-ës.

“Për momentin, qëllimi im i vetëm është të përgatis një portal si ai që kam patur dhe të jem gati për zgjedhjet e 2020-ës në Amerikë.”- u shpreh ai.

Përvoja 10-vjeçare ia ka bërë më të lehtë të zgjedhë target grupin (kryesisht amerikanë) dhe t’ju servirë çfarë ata duan të lexojnë.

Ditët e tij kalojnë duke u dhënë mësim të rinjve në Velesh dhe këmbëngul në faktin se duke u marrë me lajme të rreme, të njohura ndryshe si  (fake news), do të mund të fitojnë nga 1000-1200 dollarë në muaj, vetëm nga faqet online.

“Këtu ka shumë të rinj,-tregon ai. Dhe s’ke çfarë bën tjetër. Ky fenomen është përhapur gjërësisht. U them gjithmonë që pjesa më e rëndësishme është titulli.”- rrëfen ai duke pohuar se aktualisht 100 nxënës po mësohen se si të përgatisin të tilla lajme.

Adresat që qarkullojnë më së shumti kanë qenë usaelectionnews.com, everydaynews.us e shumë të tjera si këto.

Duket se të rinjtë e qytetit mësohen gjithashtu se si një lajm viral ta bëjnë edhe më sensacional, duke shtuar fakte të pavërteta.

Kjo lloj industrie është kthyer në një nga çështjet për të cilat qeveria e re maqedonase është  kritikuar më së shumti. Në kundërpërgjigje, krerët maqedonas janë shprehur se do të marrin masa për ta parandaluar këtë fenomen, e ndërsa për disa sipërmarrës, publikimi i lajmeve të rreme është krejtësisht normale.

“Ku është problemi? Është thjesht një mënyrë alternative për të bërë para të shpejta. Shumica e të rinjve në Velesh dhe Maqedoni janë të papunë. S’ka asnjë ligj që na ndalon. Vetë politika është e pamoralshme.”-   shprehur ata.

Këtë problem e ka vënë publikisht në dukje edhe Hillary Clinton, duke përmendur ekzistencën e këtyre të rinjve që merren me lajme të rreme dhe ngriti dyshimet e saj se bashkëpunojnë me Rusinë. E ndërsa pas fitores së Donald Trump, Obama ka shpenzuar pothuajse një ditë të tërë duke lexuar historitë e trilluara të banorëve të Velesh-it, ku siç u tha rreth 1800 banorë janë shqiptarë.

Mark Zuckerberg-u është personi tjetër më i shqetësuar, i cili s’mund ta pranojë kurrsesi që një industri  e tillë të operojë në faqen e Facebook-ut. Masave ekstreme të marra së fundmi i është bashkuar dhe Google.

Prodhuesit e këtyre lajmeve në Velesh, tregojnë se për momentin, llogaritë e tyre të google-it dhe Facebook-ut janë bllokuar duke mos i  lejuar të vazhdojnë me këtë.

Por pavarësisht gjithë këtyre, prodhuesit e kësaj industrie janë të vendosur në vazhdimësinë e këtij biznesi. Vetëm se kësaj here po mendojnë të ndryshojnë taktikë. Strategjia e re është blerja e llogarive të Facebook-ut që i përkasin fëmijëve të vegjël, në këmbim të 2 dollarëve dhe më pas u ndryshojnë emrin për t’i bërë të duken më amerikanë.

Kështu, ish-studenti i drejtësisë  vazhdon të na paralajmërojë se jo vetëm që nuk heq dorë nga përhapja e të tilla informacioneve, por na përgatiti me atë çfarë njerëzit do të shohin deri në zgjedhjet e 2020-ës.

Shumë lajme të rreme pro presidentit Trump!