Shqiptarët, populli më i pafuqishëm në botë!

941
0

Shqiptarët janë populli më i pafuqishëm për ndryshime në të mirën e tyre. Ambasadorët më të vobektë i ka Shqipëria. Ata nuk mbrojnë dot popullin e tyre e as nuk ngrenë dot zërin kundrejt shteteve ku janë atashuar. Ndërkohë  po vdesin mijëra shqiptarë në burgjet e botës dhe të drejtat e tyre po shkelen me këmbë. Rasti më i fundit është ai i të ndjerit Florenc Beqiraj, i riu shkodran që u  masakrua në një burg të Marsejës.

 Populli shqiptar nuk do të dalë kurrë kundër padrejtësive dhe nuk do të ngrihet në protesta për mosrespektim të të drejtave të njeriut të tyre të dashur, sepse nuk do të humbë vendin e punës. Ne harrojmë se bukën e fëmijëve nuk po na i sjell ai njeri që është në pushtet, por krahët tanë.
Duhet të marrë fund mbështetja e komunistëve, që akoma me politikën e Ramiz Alisë po na udhëheqin përsëri. Unë mendoj, që ambasadori më i mirë, është një person i integruar në atë shtet ku ai aspiron të bëhet ambasador, pasi kështu ai do njohë më mirë komunitetin në shtetin ku do punojë. Ky ambasador do të ketë më shumë benefite për popullin e tij, sesa këta që kemi sot. Të sotmit janë ambasadorë rroge dhe përfitimesh personale. Shpesh, jo vetëm abuzojnë, por edhe injorojnë shtetasit shqiptarë, deri në vrasjen e tyre.
Lutem dhe ju bëj thirrje gjithë shqiptarëve në Shqipëri apo kudo ndodhen nëpër botë, të ngrenë kokën dhe zërin për të drejtat e tyre dhe fëmijëve të tyre, për nesër, pasnesër, për të ardhmen e Shqipërisë së bukur.
Mos jemi më frikacakë të partive dhe individëve politikë. Më mirë pa një vend pune se sa dhjetë vite pas, duke mos ngritur zërin kundrejt padrejtësive. Për një vend pune po dëmtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Të bëhemi bashkë për fëmijët tanë. Sakrifikoni sikurse për rritjen e fëmijëve, sakrifikoni në ngritjen shpirtërore dhe respektimin e të drejtave që gjithkujt nga ne i takojnë./Dritare.net/Nga Endrit Hoxhaj