Shkojnë të martohen në minibashki, çiftit nga Tirana i ndodh e papritura në momentin e fundit

620
0

Kurorëzimi i një martese në ditën e Shën Valentinit është një ide që do të dukej romantike për shumëkënd.
Edhe në vendin tonë ka nga ata që mezi e presin këtë ditë feste, ndonëse shumë të tjerë mbeten indiferentë.

Sidoqoftë, për këdo që gëzon dhe feston, kjo ditë e shënuar është një një ide e veçantë për të kurorëzuar në martesë lidhjet e dashurisë.

Kjo ka ndodhur edhe me një çift në Tiranë, të cilët kanë shkuar pranë mini bashkisë nr.5 për të bërë celebrimin e martesës.

Ndonëse ata kanë aplikuar më shumë se dy javë para, nuk kanë arritur të martohen dot në 14 shkurt. Dhe jo vetëm kaq, por nuk u martuan as dje e as sot. Kjo ndodhi për një arsye që në Shqipëri nuk përbën fare çudi: Në këtë minibashki ka rënë sistemi elektronik.

Sipas denoncimit të dërguar pranë JOQ.al, punonjëset e kësaj minibashkie kanë deklaruar se nuk mund të procedojnë pa sistem, dhe për këtë arsye çifti nuk mund të martohej kësaj jave.

Denoncimi i plotë:

Përshëndetje Jeta Osh Qef, bashkë me të fejuarin kishim zgjedhur të martoheshim në ditën e të dashuruarve. Por nuk na shkoi mendja se as kjo nuk është e mundur në Shqipëri, përpos gjithë mangësive që kemi.
Kjo pasi ka ikur sistemi që në datën 14, dhe nuk ka ardhur akoma edhe sot. Aplikuam rreth 17 ditë më parë, dhe kemi ardhur mbi 5 herë gjatë këtyre ditëve në minibashkinë nr. 5.

Përveç radhës që na u desh të prisnim për shkak se vetëm një sportel punonte, na u prishën të gjitha planet për të lidhur martesë në këtë ditë të shënuar.

Pa mbajtur asnjë përgjegjësi institucionale e as morale, punonjëset na thanë që nuk mund të procedonin pa sistem dhe se duhet të presim deri sa të rregullohet. Sikur të mos mjaftonte që na kërkuan lloj-lloj certifikatash (për shpallje martese, për lidhje martese etj), tani duhet të na caktojnë ata edhe datën e martesës, që me siguri do të shtyjë ca deri sa të rregullohet sistemi elektronik.