Nga rrëmbimi i të bijës tek dënimi për falsifikim, e shkuara e biznesmenit të vrarë në Bllok

563
0

Memli Begalla u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në zonën e Bllokut nga persona ende të paidentifikuar. Dyshimet e para janë se biznesmeni mund të jetë vrarë për shkak të borxheve. Në të kaluarën e tij, numërohen të paktën dy ngjarje kriminale ku rezulton i përfshirë, falsifikimi i një shumë monetare dhe rrëmbimi i të bijës në Itali.

Memli Begalla kishte ndryshuar emrin në vitin 2013-të nga Afrim në Memli. Ai është babai i dy djemve dhe një vajze, si dhe pronar i disa subjekteve private në fushën e turizmit, ndërtimit, etj. 64-vjeçari u ekzekutua me armë nga persona të pa identifikuar, në një tunel në rrugën “Nikolla Tupe” në zonën e ish-bllokut në Tiranë..

Afrim Begalla i dënuar me 6 vite burg për 5 mijë dollarë të falsifikuara

“Nga aktet e ndodhura në dosje ka rezultuar se i gjykuari Afrim Begalla, më datë 20.12.1998 ka shkuar tek tregu i valutës së qytetit Tiranë për të këmbyer një sasi dollarësh, të cilët kanë dalë se ishin të falsifikuar. Ai fillimisht ka pyetur në lidhje me kursin e këmbimit dhe më pas ka rënë në marrëveshje me Agim Mertiraj që të blente nga ky i fundit dollarë. Kambistët me të cilët bisedoi krijuan besim tek ai, se do të blinte dollarë dhe për këtë ishte në pritje të lekëve. I gjykuari pasi kishte vënë në dorë 5000 $ nga i dëmtuari Agim Mertiraj i kthen këtij të fundit 5000 $ të falsifikuara “për shkak se nuk i sollën lekët personat që ai priste”. Sapo është larguar nga vendi ku u krye veprimi i këmbimit i gjykuari, të dëmtuarit konstatuan së dollarët që ai (i gjykuari) ju kishte dhënë ishin të falsifikuara. Në këto kushte ato i janë vënë në ndjekje dhe e kanë kapur dhe të gjykuarit i janë gjetur 5000 $.

Për sa më sipër, gjykata ka deklaruar fajtor dhe dënuar Afrim Begallën, për veprën penale të vënies në qarkullim të monedhave të falsifikuara, parashikuar nga neni 183 i Kodit Penal.

Pretendimet e paraqitura në rekursin e të gjykuarit pjesërisht qëndrojnë e duhet të merren në konsideratë, ndërsa përsa i përket faktit se ai nuk e ka kryer veprën është pretendim i pabazuar e në kundërshtim me të gjitha aktet e ndodhura në dosje, për rrjedhojë ky i fundit nuk duhet t’i merret në konsideratë. Gjykatat konform kërkesave të neneve 151 e vijues të K.Pr.Penal kanë shqyrtuar një numër të konsiderueshëm provash gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Vendimi i Gjykatës së Apelit duhet të ndryshohet lidhur me masën e dënimit. Në caktimin e dënimit për të gjykuarin Afrim Begalla duhet të ishte zbatuar neni 183 i ndryshuar me ligjin nr. 8733 date 24.1.2001, i cili në kuptim të nenit 3 të Kodit Penal, është më i favorshëm për të gjykuarin Afrim Begalla”.

Dhjetor 2009: Afrim Begalla dhe djali i tij Lili Begalla rrëmbejnë të bijën

64-vjeçari Afrim Begalla dhe djali i tij, Lili Begalla, sipas mediave italiane, në vitin 2009 rrëmbyen Ludmilla Begallën (vajza e Afrim Begallës), pasi ishin kundër martesës së saj me një kosovar. Në një artikull të botuar më 11 Dhjetor të 2009-ës, “La Gazzetta del Mezzogiorno” shkruan:

“Dy shtetas shqiptar, babë e bir të një 27-vjeçareje të premtuar për martesë, e detyruan atë me forcë që të hipte në një makinë dhe nga një qytet i panjohur i Zvicrës arritën në Bari, me qëllim që të ktheheshin në Shqipëri. Por në këtë moment autoriteteve italiane u mbërriti një kërkesë ndërkombëtare ndalimi dhe rrëmbyesit u ndaluan dhe u arrestuan. E reja u nis për në Zvicër, ku punon në një agjenci udhëtimi”. Vajza mësohet se ishte mbajtur pa dëshirën e saj për të paktën 3 ditë.