Mbeta ne Shqiperi me shpresën që ky vend do bëhet një ditë..

Mbeta ne Shqiperi me shpresën që ky vend do bëhet një ditë..

Ishte viti 1995, diku në malet e kufirit tonë me Greqinë na kapin ushtarët grek. Ishim rreth 20 djem dhe burra nga fshati që kishim marrë rrugën e emigrimit.
Mendova se ishte një ditë tjetër me fat të keq, do na kthenin e do të niseshim prapë. Nuk ishte kaq e thjeshtë, na detyruan të hipnim me radhë në një degë lisi. Kur hipi i 16-ti këputet dega e lisit dhe biem si shalqinj në tokë. Dikush theu këmbën një tjetër krahun e kështu me radhë. Ndërkohë që ne vuanim, ushtarët qeshnin me të madhe e argëtoheshin me dhimbjen tonë.

Ika për herë të parë në Greqi sapo u hapën kufijtë, me shoqërues, pas 6 muajsh më kapën në Athinë kur sapo kisha filluar të mësoja zanatin e pllakaxhiut. Pas herës së dytë e kisha mësuar vetë rrugën nga mali, zgjaste plot 7 ditë.
Filluam të iknim fshatçe, na kapnin iknim prapë, nxirrnim ndonjë lek e mbanim familjen. Pas vitit 2010 nuk e mora më rrugën e emigrimit, zanatin e kisha mësuar e fillova të punoj këtu me shtrime pllakash, murator e ç’të mundesha.

Jam ushqyer me zanatin deri tani, por puna ka rënë shumë. Kam filluar të mendoj ti rikthehem prapë emigrimit. Nuk e di pse, por politika në vend që të kujdeset për njerëzit duket se kërkon ta vjedhë e ta rrjepë deri në pikën e fundit. Edhe pse jam me shpresën që ky vend një ditë do bëhet, çdo ditë e më shumë politikanët tanë më duken si ata, ushtarët grek, që pasi u rrëzuam nga dega e lisit, qeshnin dhe shijonin dhimbjen tonë.

Çimi Peqin/Nisma thurje/

Comments

comments

Related Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: