Letra e vajzës që ka 5 vjet që pret të fejuarin në Angli

1855
0

Historia e nje vajze nga fshatrat e Gramshit te fejuar me nje djale ne Angli. Ajo ndodhet në dilemë se si duhet të veprojë me të  ardhmen e saj.

Ajo ka 5 vjet e fejuar dhe djali ka emigruar në Angli me synimin për të ndërtuar një jetë më të mirë bashkë.

Por vitet po ikin dhe ai nuk ka mundur të sigurojë as të ardhura dhe as dokumenta të rregullta qëndrimi atje.

Veç kësaj, duket se raportet mes tyre nuk janë aq intensive sepse djali është duke e marrë në telefon rrallë e më rrallë, transmeton infoelbasani.al.

Sipas mentalitetit të zonës, nëse një vajzë nuk martohet e e re, rrezikon të mos krijojë familje.

Ja çfarë shkruan ajo: Përshëndetje Unë jam një vajzë nga një fshat i thellë i Gramshit.

Nuk po ua them emrin sepse menjëherë sapo të lexojnë shkrimin do e kuptojnë se cila jam. Mua më fejuan me mblesëri kur isha 19 vjeçe. Unë nuk e kam përfunduar shkollën e mesmes sepse familja nuk kishte mundësi, megjithëse unë kisha shumë dëshirë.

Unë ndihmoj familjen në punët e shtëpisë në bujqësi etj. Ne kemi pak të ardhura dhe bëjmë një jetë modeste.

E vetmja dritare e jona tani është celulari që na lidh me botën. Në familje kam edhe një motër dhe një vëlla më të vogël. Ndohur në këto kushte familja më fejoi. Pak nga hallet, por edhe për shkak të moshës. Këndej nga ne është traditë që vajzat të fejohen herët.

Djali që jam fejuar është nga një fshat tjetër i Gramshit. Edhe pse u fejuam me mblesëri sërish kur u takuam e pëlqyem njëri­tjetrin.

Takimi i njohjes u bë në një lokal në Gramsh. Më pas ne zhvilluam një ceremoni të thjeshtë fejese. U takuam edhe njëherë më pas. Atë ditë thjesht jemi përqafuar dhe u puthëm njëherë. Kaq ishte. Gjatë bisedës ai më tha se do të ikte në Angli.

Se do më merrte edhe mua pastaj. Se s’mund të qëndronim më të vuanim në fshat. Kishte mbledhur disa të holla në emigrim në Greqi dhe të gjitha paratë i përdori për rrugën. Për fat të mirë mbërriti në Angli megjithëse me shumë vështirësi.

U gëzova sepse po ëndërroja që edhe unë mund të ikja një ditë. Në fillim u lidhëm me telefon. Bisedonim për ndonjë gjë. Por pasi kaloi një vit ai po më merrte gjithnjë e më rrallë në telefon. Pretendimet ishin nga më të ndryshmet.

Jo kam ndërruar punë, jo kam ndërruar numrin, jo skam celular etj. Nuk më ka sjellë asgjë andej. Me sa di edhe në familjen e tij nuk ka sjellë të ardhura.

Kur kemi biseduar në telefon më bën përshtypje sepse nuk thoshte shumë fjalë dashurie që është normale mes ciftesh. Pastaj kaluan 2, 3, 4 vjet dhe gjithnjë e më rrallë.

Një ditë babai shkoi tek krushku dhe e pyeti se çfarë perspektive kishte djali. Dhe ai i kishte thënë se bisedonte rrallë, se herë ishte me punë e herë pa punë, se nuk i kishte dërguar asnjë lek etj.

Të gjitha këto më kanë bërë që të hyj në dyshime të mëdha. Ku është ai, çfarë bën, ku punon, çfarë do të bëjë me mua. A do të takohemi sërish, a do të martoheshim bashkë?

Kam frikë se mos ka zënë një tjetër. Kam frikë se nuk më do. Se nuk do bashkohemi kurrë. Për më tepër vitet po ikin dhe këtu tek ne po kalove 25 vjeçe nuk të merr njeri më sepse mentaliteti është i tillë.

Mendojnë mos ka vajza ndonjë gjë, se mund të jetë imorale, se ka ndonjë të metë trupore e të tjera si këto.

Tani unë jam në dilemën më të madhe të jetës sime: Ta pres apo të nis një jetë të re. Kam shumë frikë se çfarë do të ndodhë. Kam frikë se nuk do krijoj një familje siç e kam ëndërruar. Se di, ndaj po ju shkruaj. /albeu/