Dua të bëhem presidenti i parë shqiptar i Amerikës!

890
0

Djaloshi shqiptaro-amerikan Erjon Mersimi i zgjedhur mes 250 nxënësve më të mirë të shkollave të mesme në SHBA, për të vizituar kryeqytetin Washington DC. u kthye në shtëpi me një ëndërr të re

Djaloshi 11-vjeçar Erjon Mersimi, me prindër shqiptarë, ka kaluar një javë të jashtëzakonshme për jetën e tij, nëpër kryeqytetin amerikan, duke vizituar muzeume dhe institucionet që qeverisin vendin.
Kjo është një gjë e rrallë për një fëmijë të moshës së tij, por një privilegj që e ka fituar duke shkëlqyer në brezin e tij.
Konferenca e Udhëheqësve të Rinj Kombëtarë zgjedh rregullisht rreth 250 nxënësit më të mirë të shkollave të mesme në SHBA, për një udhëtim në kryeqytetin e vendit në Washington DC.
Veç rezultateve të mira në shkolla, nxënësit e zgjedhur duhet të dëshmojnë edhe aktivizim në jetën komunitare e shkollore, të shfaqin shenja udhëheqjeje e përgjegjshmërie.
Mes tyre këtë vit është shquar edhe Erjoni. Shumë shqiptarë në SHBA shkëlqejnë në shkolla, po të zgjidhesh në rang kombëtar, mes miliona bashkëmoshatarëve, është padyshim një gëzim i madh.
“Kur morën vesh, nga drejtoresha e shkollës, në Apple Montesori, zonja Martinka se Erjoni ishte zgjedhur për të marrë pjesë në Konferencën Kombëtare të Udhëheqësve të Rinj u lumturuam shumë”, tregon nëna e tij, Valbona, për gazetën “Illyria”. Ajo e përshkruan ngjarjen si një gëzim të vërtetë familjar. “Ne si prindër, por edhe gjyshërit e tij, axhat dhe tezet jemi të gjithë shumë krenarë për të dhe e përkrahim në rrugën që ndjek”.

Familja e Erjonit ka ardhur në SHBA në vitet 1995-1996. Babai i tij, Shefiti është nga Ohri ndërsa nëna, Valbona, nga Livadhi/Struga. Ata ishin vetë të rinj por me të tjera plane kur erdhën në SHBA si emigrantë. U njohën me njëri-tjetrin këtu në SHBA dhe në vitin 2000 u martuan. Dy vite më vonë (2002), erdhi në jetë fëmija i tyre i pare, Erjoni, në Pequannock, New Jersey. Ai ka edhe një motër të vogël Lejla (6-vjeçare) që e do shumë.
Erjoni thotë se i pëlqeu jashtëzakonisht programi dhe mësoi shumë gjëra të reja gjatë qendrimit në Washington. Ai tani ka miq jo vetëm në New Jersey, ku banon, por në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miq që si ai shkëlqejnë në shkollat e tyre dhe rriten me ëndrra të bukura e të mëdha.
Erjoni është një djalë inteligjent dhe aktiv. I pëlqen të luajë baskeboll dhe madje luan për ekipin lolal PAL (Liga Atletike e Policisë që organizohet në mbarë Amerikën për fëmijët më të talentuar të komuniteteve – shpesh prej tyre dalin sportistë të shquar). Erjoni luan edhe shah, mëson karate dy herë në javë, shkon në kurse ku përgatitet si kujdestar për të ndihmuar fëmijët në stinën e verës si dhe ndjek Programin për të Talenturit dhe me Dhunti, në Universitetin Shtetëror Montclair (Gifted and Talented Program in Montclair State University). Ai madje është ftuar të ndjekë Jr NYLC Alumni Boston, që mbledh disa nga prijësit e rinj të shoqërisë amerikane, por familja ende nuk ka marrë një vendim lidhur me këtë.
Erjorni vetë padyshim është i vendosur që të ecën në rrugën e kalitjes së vlerave të tij si udhëheqës. Është ende i ri në moshë dhe ëndrrat i ka të shumta. E ardhmja është e hapur përpara tij dhe kjo është arritja më e madhe e Valbonës dhe Shefitit si prindër.
“Erjoni ëndërron të bëhet doktor, avokat, gjykatës ose basketbollist”, thotë mamaja e tij, Valbona, për gazetën “Illyria”.
Mirëpo, një gjatë javës që qendroi në Washington DC, duke përjetuar një botë krejt tjetër, ai i kishte telefonuar një mbrëmje, përpara se të shkonte për të fjetur.
“E di se çfarë mama?” – i kishte thënë në telefon. – “Shpresoj që një ditë, kur të rritem, të bëhem Presidenti i parë shqiptaro-amerikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Unë ndalova për një çast ndërsa një lot i lumtur më shkoi rrëke në faqe”, tregon Valbona. “Dhe i thashë, t’u plotësoftë dëshira biri im”.Ruben Avxhiu/illyriapress/